Në një vendim historik të marrë njëzëri, Gjykata Federale e Malajzisë la në fuqi dënimin e ish-kryeministrit Najib Razak me 12 vjet burg për akuzat e korrupsionit lidhur me skandal shumë miliardë dollarësh në fondin shtetëror 1Malaysia Development Berhad. 1MDB).
Najib, i cili njëkohësisht shërbeu si kryeministër dhe ministër i Financave nga viti 2009 deri në vitin 2018, u shpall fajtor në korrik 2020 për shpërdorim të pushtetit dhe pastrim parash për marrjen e paligjshme të 10 milionë dollarëve amerikanë nga SRC International, një ish njësi e 1MDB.
Një gjykatë apeli vitin e kaluar la në fuqi vendimin e fajësisë së bashku me një gjobë prej 46.7 milionë dollarësh, duke e shtyrë atë të apelojë sërish në gjykatën më të lartë të vendit.
“Ky është një çast tejet historik për Malajzinë.” – tha James Chin, drejtor i Institutit të Azisë në Universitetin e Tasmanisë.
“Është hera e parë në historinë e Malajzisë që një ish-kryeministër burgoset për korrupsion. Ka pasur shumë dyshime se gjyqësori do ndikohej nga klasa politike në këtë rast, por rezultati është një afirmim i udhëheqjes së gjyqësorit.”
Duke hedhur poshtë kërkesën e tij për shtyrjen e dënimit, një trup gjykues prej pesë anëtarësh i udhëhequr nga Kryegjykatësi Tengku Maimun Tuan Mat hodhi poshtë ankesën përfundimtare të ish-kryeministrit pasi ekipi ligjor i Najib, i cili u zëvendësua vetëm tre javë përpara fillimit të ankesës së tij më 15 gusht, kundërshtoi paraqitjen e çështjes në gjykatë, duke përmendur kohën e pamjaftueshme për të përgatitur argumentet e tyre për shkak të ndërlikueshmërisë së supozuar të çështjes.