Nga Klodian Tomorri
Magjistari më i fundit në radhën e drejtorëve të Rilindjes është Haki Çako, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Çfarë ka bërë Hakiu do thoni ju? Me një abrakadabra zoti Çako na ka fikur zjarret me helikopterë fantazmë. Po si? Thjesht fare.
Vitin e kaluar, zoti Çako pagoi 150 mijë euro për një helikopter, që sipas tij u përdor për shuarjen e zjarreve në vatra të ndryshme të vendit. Deri këtu shumë mirë. Vetëm se ka një problem të vogël. Albkontroll thotë se helikopteri, që zoti Çako thotë se na fiku zjarret, nuk ka hyrë asnjëherë në territorin e Shqipërisë. Voila magjistari i radhës. Tani faktet.
Në gusht të vitit të kaluar, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shpalli një tender për kontraktimin e dy helikopterëve nga privatët, që do të përdoreshin për shuarjen e zjarreve. Grupi i punës brenda AKMC-së identifikoi 4 kompani shqiptare, të cilat mund të ofronin këtë shërbim.
Nga 4 subjektet e identifikuara, 3 kompani u përgjigjën se nuk kishin helikopterë të lirë për të fikur zjarret, ndërsa kompania Vivahelicopters u përgjigj se dispononte helikopterët, falë marrëveshjes që kishte me një kompani gjermane, dhe ishte e gatshme të ndërhynte menjëherë.
AKMC e shpalli fituese kompaninë Vivahelicopters. Kontrata mes palëve u firmos në 16 gusht të vitit të kaluar. Ajo parashikonte se AKMC do t’i paguante kompanisë Vivahelicopters rreth 3 mijë e 400 euro me tvsh për çdo orë fluturim për fikjen e zjarreve. Një muaj pas lidhjes së kontratës, në datën 15 shtator, AKMC kryen për llogari të kompanisë Vivahelicopters pagesën 308 mijë euro për 89 orë fluturime.
Sipas faturës elektronike të lëshuar, këto orë fluturimesh ishin kryer nga 2 helikopterë, përkatësisht AS350 D-DAHIQ dhe D-HAIF. Por Albkontroll thotë se helikopteri i dytë D-HAIF nuk ka shkelur asnjëherë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Skandalin e zbuloi KLSH.
Madje KLSH thotë se jo vetëm pjesa e helikopterit fantazmë, që nuk shkeli kurrë në Shqipëri, por i gjithë shpenzimi prej 308 mijë eurosh është abuziv dhe i paligjshëm. Sipas raportit, nuk ka asnjë dokument që të provojë se helikopterët janë ngritur ndonjëherë në fluturim, e aq më tepër të jenë përdorur për shuarjen e zjarreve. E gjithë kjo sipas KLSH, ngarkon me përgjegjësi drejtpërdrejtë drejtorin e Përgjithshëm të AKMC-së, zoti Haki Çako.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e MCN