Vendosni fjalën kyçe....

Koha e rrjeteve sociale si shfaqje e mediokritetit në ligjërimin publik


Nga Çapajev Gjokutaj

Informacione fejsbuku. Lejla paska ngrenë pica me Borën tek Pazari i Ri, kurse djalit të Agronit në Boston i paska dalë dhembi i katërt.

Dikur, në kohën e mediave tradicionale, flisnin e shkruanin disa të përzgjedhur a elitarë dhe të tjerët dëgjonin. Sot, në kohën e rrjeteve sociale flasin e shkruajnë të gjithë. Po a dëgjon njeri?

Dhe robi nis e dyshon, kemi bërë para apo pas.

Ligjërimi publik patjetër që është bërë më masiv, por a është bërë më cilësor e më ndikues? Se nuk ka rendësi sa, por si.

Gërmëri i mexhlisit, zhaurima e turmës ka ekzistuar edhe në shoqëritë e qëmotit, vetëm se shfaqej si një dukuri në hije, si muhabet kafeneje a si thashetheme grash në krua.

Sot interneti dhe rrjetet sociale bëjnë që gjithfarë gjërash mediokre dhe të rëndomta të artikulohen gjerë dhe qartë, madje të kenë qarkullim ndërkontinental.

Dhe i gjori njeri nis e dyshon: Mos vallë ligjërimi publik rrezikon të bëhet si puna e atij qumështit, një nga dhija e pesë nga vija?

(Nga cikli ‘Zgara e meditimeve të çastit’)