Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin rezulton negative në testin e drogës


Kryeministrja finlandeze Sanna Marin ka rezultuar negative për drogë. Zonja Marin, pranoi të bënte testin të premten për të zbutur shqetësimet në publik dhe të opozitës për sjelljen e saj, pas videove virale ku u pa duke kërcyer, duke kënduar dhe duke pirë në një festë.

Kryeministrja 36-vjeçare thotë se nuk ka marrë kurrë drogë dhe mohon të ketë bërë diçka të paligjshme në festë, por pranon se ka pirë vetëm alkool.

Një deklaratë e qeverisë (në finlandisht) tha se “asnjë drogë nuk u gjet” në test. Po ashtu thuhej se kryeministrja i kishte paguar vetë shpenzimet e testit.

Këshilltarja speciale Iida Vallin, e cituar nga agjencia e lajmeve AFP, tha se mostra e urinës së zonjës Marin ishte testuar për kokainë, amfetamina, kanabis dhe opioidë.

Pas publikimit të videove, zonja Marin u përball me kritika nga disa politikanë, të cilët i kërkuan asaj të bënte një test droge.

Në një konferencë shtypi të mbajtur javën e kaluar, gazetarët pyetën nëse kryeministrja e cila ka qenë në pushtet që nga dhjetori i vitit 2019, do të kishte qenë në gjendje të merrte vendime të menjëhershme qeveritare nëse ishte e nevojshme.

Ajo u mbrojt duke thënë se aftësia e saj për të funksionuar ishte “me të vërtetë e mirë” dhe se nuk kishte përdorur kurrë drogë, madje as kur ishte adoleshente.