Vendosni fjalën kyçe....

Luiza Gegës do i jepet grada “kolonel”, ish-Zv.Komandanti i Flotës Detare shprehet kundër: Mos u tregoni hipokritë, gradat s’janë medalje apo dekorata


Ish-zëvendës Komandati i Flotës Detare, Artur Meçollari ka ngritur një diskutim, pas njoftimit të ministres së Arsimit, Evis Kushi, se atletes Luiza Gega do i jepet grada “Kolonel”.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Meçollari shpreh vlerësimet e tij për kampionen e Evropës në atletikë, por është kundër vendimit për t’i dhënë asaj gradën “kolonel”.

Ai kujton se shumë ushtarakë kanë humbur jetën për vendin, por Ministria e Mbrojtjes nuk u ka dhënë atyre gradat “profesor” apo “doktor”.

Meçollari thekson se gradat ushtarake nuk janë medalje apo dekorata, por mekanizmi dhe sistemi i hierarkisë dhe meritokracisë në funksionimin e Forcave të Armatosura.

 “Luiza na nderove dhe na bëre krenarë.

Faleminderit!

Tani ruaj nderin tënd.

Ministrja e Arsimit jep grada ushtarake. Zonjë, janë grada të marrë jo vetëm me djersë, por dhe me gjak. Shokët tanë kanë dhënë jetën për atë flamur dhe shumë e kanë rrezikuar atë. As ata që nuk jetojnë më, as ata që kanë rrezikuar jetën nuk u bëmë nga Ministri i Mbrojtjes Profesorë Doktorë.

Mos u tregoni hipokrit. Pesë detar shpētuan 55 jetë njerëzore në det, sot janë të pezulluar dhe askush nga ju nuk u kujtua për ta. Përkundrazi u shitën zyrtarisht. Detar Besmir Meçaj u hodh ne detin me forcën 5-6 dhe shpëtoj shumë jetë njerëzore duke përfshirë dhe një fëmijë në gjendje koma.  Apo ata kanë bërë detyrën? Gradat ushtarake nuk janë medalje dhe dekorata, por mekanizëm dhe sistem i hirarkise, meritokracisë dhe funksionimit të FA.”- shkruan Meçollari.

Në fakt Gega prej vitesh  është pjesë e Forcave të Armatosura, si nëntetare e Policisë Ushtarake.