Policia e Arkansas, SHBA, ka nisur një hetim zyrtar dhe ka pezulluar përkohësisht tre oficerë policie, pasi një video virale i tregoi ata duke dhunuar brutalisht një të dyshuar gjatë një arrestimi të dielën në mëngjes.
Mes një proteste në mediat sociale mbi brutalitetin e supozuar të tepruar, autoritetet thanë se personi i arrestuar i sulmoi ata i pari, duke plagosur një nga oficerët.
Incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së dielës jashtë një dyqani në qytetin Mulberry, Craëford County, dhe u kap pjesërisht në video nga një dëshmitar i cili më pas e shpërndau atë në internet.
Regjistrimi shqetësues fillon me të dyshuarin tashmë të shtrirë në tokë, ndërsa tre oficerët e policisë që qëndrojnë mbi të e godasin vazhdimisht me grusht si dhe i përplasin kokën në tokë. Videoja përfundon pasi një nga policët vëren dëshmitarin okular duke regjistruar përleshjen dhe me sa duket urdhëron të fiket kamera.
Pasi incidenti u bë viral, policia publikoi identitetin e burrit dhe tha se ai u dërgua në një spital me ‘lëndime të lehta në kokë’, sipas mediave vendase.
Policia tha se oficerët po i përgjigjeshin një telefonate nga një nëpunëse dyqani, i cili pretendoi se i dyshuari ‘e pështyu në fytyrë’ dhe po bënte ‘kërcënime terroriste’.
Burri dyshohet se ishte bashkëpunues kur u përball fillimisht nga policët, por më pas u bë i dhunshëm dhe plagosi një nga oficerët. Ai përballet me akuzat për sulm ndaj policisë dhe kundërshtim me forcë gjatë arrestimit.