Vendosni fjalën kyçe....

“Si Google më shkatërroi jetën”- Babai i bën foto organit gjenital të të birit për t’ia çuar mjekut por akuzohet për “abuzim seksual të fëmijëve”


Një baba amerikan thotë se jeta e tij “u shkatërrua” nga Google pasi ai u bllokua nga të gjitha llogaritë e tij, për shkak se i kishte bërë foto organeve gjenitale të birit të sëmurë për t’ia dërguar mjekut gjatë pandemisë. Madje ishte hetuar edhe nga policia për këtë.

Burri i cili identifikohet vetëm si Mark, për t’i ruajtur atij privatësinë punon si inxhinier softuerësh në San Francisko. Ai tregon se i bëri foto të organeve gjenitale të djalit në shkurt të vitit të kaluar.

Kjo sepse për shkak të pandemisë së Covid-19 konsultat po zhvilloheshin virtualisht dhe familjes i ishte kërkuar të dërgonin foto në mënyrë që mjekët t’i shqyrtonin ato përpara konsultimit të tyre urgjent me video.

Mark i ngarkoi imazhet në sistemin e mesazheve të ofruesit të kujdesit shëndetësor nga telefoni i tij Android. Por sipas The New York Times fotot u shenjuan si material i mundshëm i abuzimit seksual të fëmijëve nga inteligjenca artificiale (AI), duke shkaktuar një hetim policor.

Dy ditë pasi bëri foton e djalit të tij, Mark u njoftua se ai ishte bllokuar nga llogaritë e tij, duke e lënë atë të hutuar.

Mark u përpoq të apelonte vendimin, por Google e refuzoi kërkesën duke e lënë atë të paaftë për të hyrë në llogaritë e tij, madje iu bllokua edhe celulari.

Vetëm disa muaj më vonë ai u informua se Departamenti i Policisë së San Franciskos kishte hapur një hetim kundër tij.

Ai mori një zarf nga policia në dhjetor 2021, me dokumente që e informonin se ishte hetuar. Në dokumente tregohej se kërkesa për ta hetuar ishte bërë nga Google dhe ofruesi i tij i shërbimit të internetit. Hetuesi tha se çështja ishte mbyllur dhe se ata kishin vendosur se “nuk kishte ndodhur asnjë krim”.

Marku më pas pyeti nëse oficerët mund ta ndihmonin atë të kthente llogarinë e tij, duke iu drejtuar sërish Google me dokumentet e policisë, por kërkesa iu refuzua. Ai u informua se llogaria e tij do të fshihej përgjithmonë dhe për momentin mendoi të padiste kompaninë, por në fund vendosi që kjo do të shkonte shumë shtrenjtë.

Gjigandi i teknologjisë gjithashtu pretendonte se një tjetër video e Mark ishte problematike pasi përmbante një fëmijë të vogël të shtrirë në shtrat me një grua të zhveshur. Marku pretendon se nuk e mbante mend videon dhe se nuk kishte më akses në të, por tha se ky tingëllon si një moment privat që kishte filmuar me gruan dhe djalin e tij kur janë zgjuar një mëngjes.

Një prind tjetër në Teksas ka treguar se kishte patur një problem të ngjashëm me Google, pasi kishte bërë foto të “pjesëve intime” të të vegjëlve të tij për t’ia dërguar mjekut.