Vendosni fjalën kyçe....

Blogerët rusë e ukrainas të dyshuar për spiunazh para gjykatës, mësohen katër akuzat e ngritura ndaj tyre


Ka nisur sot në orën 11:00 në ambientet e gjykatës së Elbasanit seanca gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj dy shtetasve rusë dhe një ukrainasi, që u arrestuan të shtunën nën dyshimet për spiunazh.

Në nisje të seancës, gjyqtarja Pajtime Fetahu tha se ndaj tyre janë ngritur katër akuza nga Prokuroria: “dhënia e informatave sekrete”, “sigurimi i informatave”, “goditje për shkak të detyrës”, si dhe “stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme”.

Tre të arrestuarit, rusët Mikhail Zorin, Svetlana Timofeeva dhe ukrainasi Fedir Alpatov janë në sallën e gjyqit brenda kafazit të xhamit të rrethuar nga forca të shumta sigurie.

Mikhail Zorin dyshohet se është rekrutuar nga shërbimet e Inteligjencës. Siç raportoi gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve nga Prokuroria. Zorin ka nënën pjesë të ushtrisë ruse dhe babain me profesion avokat.

Ai udhëtoi 3 javë më parë nga Çekia (ku studion për kimi) drejt Shqipërisë me biçikletë dhe hyri në vendin tonë përmes pikës kufitare të Muriqanit.

Dy miqtë e tij, Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe, e cila është një blogere e njohur dhe 25-vjeçari ukrainas Fedir Alpatov kishin fjetur në çadër jashtë portit të Durrësit.