Vendosni fjalën kyçe....

Flet avokati i turistit ukrainas të dyshuar për spiunash: Në mënyrë kategorike klienti im nuk ka të bëjë me shërbimet ruse, iu mohua gjuha amtare


Pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit për të lënë në “arrest me burg” dy shtetasit rusë dhe atë ukrainas të akuzuar për spiunazh, ka folur për mediet avokati i këtij të fundit.

Avokati Saimir Visha tha se ka kërkuar pavlefshmërinë e deklarimeve të klientit të tij Fedir Alpatov gjatë marrjes në pyetje, pasi ai është pyetur në gjuhën ruse edhe pse gjuha e tij amtare është ukrainase.

Visha theksoi se nuk ka fakt penal sepse fotot janë bërë në zona ku nuk ka pasur sinjalistikë që një gjë e tillë ndalohet.

“I është mohuar gjuha. Nuk mundet të pyetet ai në gjuhën ruse kur gjuha e tij zyrtare është ukrainase. Personi që është shtetasi huaj pyetet në gjuhën amtare. Kërkuam pavlefshmërinë e deklarimit të tij.
Dy të tjerët kanë kërkuar avokatë të zgjedhur, gjykata i ka caktuar kryesisht. Në lidhje me akuzat, ju e dëgjuat dhe vetë që nga ana e policisë dështoi. Ishte regjistruar për 5 vepra, aktualisht janë dy vepra. Nuk është armë kimike. Nuk ka fakt penal kur fotot janë bërë në një objekt që nuk ka asnjë sinjalistikë.
Në mënyrë kategorike klienti im nuk ka pasur të bëjë me shërbimet ruse.”- deklaroi Visha, i cili është avokati i zgjedhur nga familjarët e të riut ukrainas.

Gjykata e Elbasanit ka lënë në “arrest me burg” dy blogerët rusë Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe atë ukrainas Fedir Alpatov të arrestuar në Uzinën Ushtarake të Çekinit në Gramsh, të akuzuar për spiunazh.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi konsiderohet që ka sekret shtetëror të hetimit.