Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata vendos masën “arrest me burg” për dy blogerët rusë dhe ukrainasin të arrestuar në Gramsh, bien disa nga akuzat e prokurorisë


Gjykata e Elbasanit ka lënë në “arrest me burg” dy blogerët rusë dhe atë ukrainas të arrestuar në Uzinën Ushtarake të Çekinit në Gramsh, të akuzuar për spiunazh.

Gjyqtarja Pajtime Fetahu e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe Fedir Alpatov.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi konsiderohet që ka sekret shtetëror të hetimit.

Gjyqtarja Fetahu tha në nisje të seancës gjyqësore se janë katër akuza të ngritura nga Prokuroria ndaj të dyshuarve: “dhënia e informatave sekrete”, “sigurimi i informatave”, “goditje për shkak të detyrës”, “stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme”.

Por në përfundim të seancës, gjyqtarja bëri me dije se janë referuar dy vepra penale: “sigurimi i informatave,” kryer në bashkëpunim si dhe “goditje për shkak të detyrës”.

Dy rusët dhe ukrainasi u arrestuan të shtunën pasi tentuan që të hynin në ambientet e uzinës, ku një prej tyre sulmoi edhe dy ushtarët që ruanin godinën, Adrian Xhaka dhe Aldo Bici.

Mikhail Zorin dyshohet se është rekrutuar nga shërbimet e Inteligjencës. Siç raportoi gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve nga Prokuroria, Zorin ka nënën pjesë të ushtrisë ruse dhe babain me profesion avokat.

Ai udhëtoi 3 javë më parë nga Çekia (ku studion për kimi) drejt Shqipërisë me biçikletë dhe hyri në vendin tonë përmes pikës kufitare të Muriqanit.

Dy miqtë e tij, Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe, e cila është një blogere e njohur dhe 25-vjeçari ukrainas Fedir Alpatov kishin fjetur në çadër jashtë portit të Durrësit.