Ora News zbulon vendin e arrestimit të ndihmësspecialistit në skuadrën Operacionale Jeton Lami, i cili u ndalua mbrëmjen e 23 gushtit 2022 në Tiranë.
Arrestimi i Lamit është kryer në zyrën e Drejtorit të Operacionales, ku Lami është thirrur privatisht, që sipas shefave të tij duhej të sqaronte një moment pune.
Lami ka shkuar në zyrë tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku teksa është përballur me shefat, ata e kanë pyetur se në çfarë periudhe kohore kishte nisur punën në Forcën Operacionale.
Lami ka treguar se kishte nisur punën 3 vite më parë, pasi ishte zgjedhur për tu bërë pjesë në këtë strukturë nga drejtori i asaj kohe, Bujar Ahmeti.
Nga ana tjetër shefat i kanë bërë me dije nëse kishte qënë ndonjëherë në Durrës në ditët e para të muajit gusht, dhe Lami mësohet të jetë përgjigjur se kishte vizituar qytetin e Durrësit, i shoqëruar me njerëz të afërm të tij.
Pas kësaj sërish shefat e kanë pyetur nëse është shoqëruar ndonjëherë me persona në kërkim nga policia dhe prokuroria, por Lami ka treguar se nuk e kishte bërë një gjë të tillë.
Edhe kur është pyetur nëse ishte shoqëruar me Ervis Martinaj, sërisht Lami ka treguar se një gjë të tillë nuk e kishte bërë asnjëherë.
Zbulimi
Por në këto momente Lamit i është kërkuar të shohë një video, në të cilën ai ka parë veten e tij në ambjentet e një hoteli në Durrës, ku shoqërohej me biznesmenin e shpallur në kërkim nga SPAK, Ervis Martinaj.
Ora News mëson se pas qëndrimit disa minuta së bashku, Lami ka mbetur i vetëm në ambjentent e hotelit, ndërsa sipas policisë, Martinaj, është larguar me makinë nën shoqërinë e disa personave të tjerë.
Ky ka qenë momenti i fundit kur është kapur silueta e Ervis Martinaj. Dhe që prej këtij momenti të mbrëmjes së 7 gushtit 2022, nuk gjendet asnjë gjurmë e Martinaj në Shqipëri.
Kontaktet me biznesmenin i kanë humbur dhe familjarët, të cilët mëngjesin e 9 Gushtit 2022 i janë drejtuar komisariatit Kurbin, duke depozituar një denoncim për zhdukjen dhe humbjen e kontakteve me Vis Martinaj.
Mbrojtja
Teksa është njohur me përmbajtjen e videos, efektivi i policisë Lami është përpjekur të mbrohet, duke thënë se ka qënë krejt rastësisht në këto ambjente dhe nuk e dinte se kush, ishte personi tjetër i shfaqur në kamera.
Shefat e tij të Drejtorisë së Operacionales, i kanë komunikuar Lamit, vendimin e gjykatës së Laçit, që kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për punonjësin e policisë që tashmë akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Punonjësi i operacionales është arrestuar në ambjentet e zyrës dhe pas këtij momenti, nuk ka dhënë asnjë dëshmi shtesë për situatën në fjalë. Pritet që ditën e nesërme në orën 11:00 të dali para gjykatës së Kurbinit, ku do njihet me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërkohë policia ende nuk ka dalë me një deklaratë që mund të zbardhë enigmën nëse Ervis Martinaj është marrë peng dhe vrarë apo vijon të jetë në arrati.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ora News