Vendosni fjalën kyçe....

Hetimet e SPAK-ut ndaj tij, Meta: Spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas hetimeve që SPAK ka njoftuar që po bën ndaj tij për shkak të kallezimeve penale nga ana e ish-deputetit Halit Valteri.

Meta tregon edhe një kërkesë tjetër që SPAK i ka drejtuar këtë radhë Gjendjes Civile për informacion dhe më pas e quan kreun e SPAK-ut Arben Krajën “spurdhjaku i partisë”.

Meta paralajmëron se shtatori po vjen dhe sipas tij qeverinë e Edi Ramës “s’e shpëton më asgjë”.

“Meqënëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më!
Ramoviçin asgjë nuk e shpëton dot më!”– shkruan Meta.

Në shkresën e mëposhtme, SPAK kërkon informacione mbi gjeneralitetet e Metës.

 

Ky reagim i Metës vjen pasi ditën e sotme SPAK i ka kërkuar KQZ-së një kopje të formularit të vetëdeklarimit të ish-presidentit.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar po kryen hetime në funksion të procedimit penal nr. 122 të vitit 2022.

Për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” të dorëzuar nga ish-Deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Metaj (Meta).” – thuhej në kërkesën e firmosur nga Arben Kraja. Hetimi i SPAK-ut po bëhet në kuadër të kallëzimeve ndaj tij të ish-deputetit Halit Valteri.

Valteri depozitoi në SPAK më 7 qershor një kërkesë për padi ndaj Ilir Metës i cili ishte ende president, duke e akuzuar për lobim dhe pastrim parash. Ai deklaroi se paratë e korrupsionit, Meta i ka transferuar për lobim dhe këto prova ia ka vënë në dispozicion një gazetar i huaj.

Kallëzimi i tij nuk ishte vetëm kundër Metës, por edhe ndaj kryetares së LSI-së në atë kohë Monika Kryemadhi, ish-deputetit Vangjel Tavo si dhe ndaj Iraklis T. Fidetzis, administratorit të kompanisë Dorelita Limited me seli në Qipro.