Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni Evropian përsërit thirrjen për Shqipërinë: Jo ‘Pasaportave të arta’, rrezikohet anëtarësimi në BE


Komisioni Evropian ka paralajmëruar edhe një herë Shqipërinë që të mos prezantojë skemën e saj të ‘pasaportës së artë’ pasi, sipas Komisionit, ajo bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe përbën rrezik për anëtarësimin e Shqipërisë në bllok.

Së fundmi, autoritetet në Shqipëri njoftuan se do të prezantojnë programin ‘Shtetësia me Investim’, i cili lejon ndërkombëtarët të marrin nënshtetësinë në Shqipëri, me kusht që të plotësojnë kushte specifike dhe të shpenzojnë një shumë të caktuar parash në formë investimi, raporton SchengenVisaInfo.com.

Programi ‘Shtetësia me Investim’ është i pranueshëm në disa vende evropiane; megjithatë, autoritetet në vendet e BE-së shpesh e kanë kritikuar një skemë të tillë pasi shpesh është përfshirë në afera të paligjshme si pastrimi i parave dhe korrupsioni, edhe pse skemat e ‘Pasaportës së Artë’ sjellin përfitime të konsiderueshme për sektorin ekonomik.

Pavarësisht paralajmërimeve të Komisionit të BE-së, autoritetet në Shqipëri prezantuan më parë ndryshime të reja në ligjin për partneritetin publik-privat (PPP) duke përfshirë në ligj edhe skemën e ‘Pasaportës së Artë’, ndërkohë që aktualisht qeveria shqiptare po planifikon të punësojë firma private që promovojnë skema të tilla në vende të tjera.

Edhe pse programi ‘Shtetësia me investim’ është konsideruar si një portë për shumë afera të paligjshme, sipas autoriteteve në Shqipëri, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për këtë skemë. Sipas tyre, dhënia e shtetësisë dhe kontrollet e sigurisë do jenë nën juridiksionin shtetëror.

Gjithashtu, disa nga zyrtarët e qeverisë shqiptare kanë hedhur poshtë kritikat e autoriteteve të BE-së për një skemë të tillë duke shtuar se ajo nuk do ketë korrupsion, ndërsa qëllimi kryesor i saj është tërheqja e ndërkombëtarëve të pasur.

Por Brukseli ka një mendim tjetër. Sipas raportit më të fundit të progresit të Shqipërisë, të prezantuar vitin e kaluar, vendosja e një skeme të tillë përbën rrezik ndër të tjera për sigurinë e vendit.

“Për të drejtat e nënshtetësisë, një dispozitë e Ligjit për Shtetësinë, e miratuar në korrik 2020, ende mund të çojë në krijimin e një skeme të ‘Pasaportës së Artë’ të investitorëve. Programe të tilla paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit, korrupsionin dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me ligjet e BE-së. Prandaj, si vend kandidat, Shqipëria duhet të ndalojë zhvillimin e një skeme të tillë.” – theksohet në raport.

Shqipëria u bë kandidate në BE në vitin 2014. Vendi ballkanik nuk është anëtar zyrtar i Bashkimit Evropian. Së fundmi, Bashkimi Evropian ka nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë në mënyrë që vendi ballkanik të anëtarësohet në bllok, gjë që u konsiderua një moment historik nga presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.