Deputetja e Partisë së Lirisë Kryemadhi ka publikuar certifikatën e kreut të partisë Meta.
Reagimi i Kryemadhit vjen pas nisjes së hetimeve të SPAK-ut lidhur me formularin e dekriminalizimit të Metës.
Kryemadhi shkruan se Partia e Lirisë ka vendosur ta ndihmojë SPAK-un për këtë çështje si dhe për atë të inceneratorëve.
“Partia e Lirisë ka vendosur ta ndihmojë SPAK-un. Që të mos i nxjerrë në punë me urdhër, që të firmosin shkresa të gatshme Endri Fuga, po ua mundësoj unë certifikatën personale të Ilir Metës, se si pamje e njihni edhe vetë. Do vazhdoj t’ju ndihmoj edhe për inceneratorët.” – shkruan Kryemadhi.
SPAK njoftoi sot se po heton kreun e Partisë së Lirisë Meta duke i kërkuar KQZ-së formularin e dekriminalizimit të tij. Sipas prokurorisë hetimi po kryhet pas një procedimi penal ndaj tij regjistruar pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.
Ky i fundi e akuzon Metën për lobim e pastrim parash. Meta iu përgjigj kreut të SPAK-ur Kraja duke e quajtur atë ‘spurdhjakun e partisë’ që po i shërben hapur mafias së inceneratorëve.
Edhe ambasadorja amerikane Kim u përfshi në çështje duke thënë se ‘kërcënimet nga prokurorëve për të prishur reformën në drejtësi s’mund të pranohen më si normale’. Po kështu ajo shkruan se ‘për një kohë të gjatë, të pasurit dhe/ose të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar, se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush, askush nuk është mbi ligjin’.
Pas kësaj reagoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Blushi i cili në formë ironie ndaj ambasadores tha se mbështet të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet e presionet banale të kryeministrit Rama ndaj SPAK-ut e drejtësisë.