Vendosni fjalën kyçe....

Meta uron Ukrainën në Ditën e Pavarësisë: Shembull rezistence patriotike, bota gjen frymëzim


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka publikuar një mesazh urimi për Ukrainën në me rastin e 31-vjetorit të saj të Pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Ish-presidenti shprehet se Ukraina është shembull me rezistencën e saj ndaj luftës Ruse.

“Në këtë 31-vjetor të Pavarësisë, bota gjen frymëzim tek rezistenca patriotike e qytetarëve të Ukrainës, në luftën e tyre të drejtë ndaj agresionit ushtarak rus. Lufta, dhuna, veprimet armiqësore, nuk mund të pranohen si normalitet i marrëdhënieve mes shteteve sovrane në kohët që jetojmë. 

Ukraina e lirë dhe pavarur është gjithashtu me rëndësi kyçe për paqen, sigurinë, prosperitetin ekonomik të Europës dhe të botës.  Të bashkuar në solidaritet, ne qëndrojmë të rreshtuar me aleatët perëndimorë, në mbështetje të popullit ukrainas, drejtuesve dhe institucioneve legjitime të saj, deri në garantimin tërësor të lirisë e paqes për Ukrainën dhe mbarë botën. Vlerat europiane do të triumfojnë në Ukrainën e pavarur!”– u shpreh Meta.

Dita e Pavarësisë në Kiev zakonisht festohet me një paradë masive ushtarake nëpër qendrën e qytetit.

Por sot, në vend të tankeve ukrainase, janë ekspozuar në rrugën Khreshatik automjetet e ushtrisë ruse të shkatërruara ose të sekuestruara. Dhe nuk do të mbahet asnjë festë.

Kjo për shkak të frikës se Rusia mund të përdorë datën për të goditur qytetet në të gjithë vendin dhe ngjarjet publike në kryeqytet janë ndaluar për dy ditë.