Vendosni fjalën kyçe....

Një shqiptare kandidate për një vend në Parlamentin Italian


Një shqiptare po kandidon për një vend në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian, në zgjedhjet parlamentare të 25 shtatorit.

Anita Likmeta është kandidatja e parë shqiptare që garon për një vend në parlamentin italian.

“Falenderoj z. Tabacci për mundësinë që më në fund t’i japë përfaqësim institucional komunitetit shqiptar në Itali. Është nder dhe privilegj për mua të jem e para italiane e lindur në Shqipëri, kandidate për Parlamentin Italian! Rroftë Italia & Rroftë Shqipëria!”- shkruan ajo në një postim në rrjetet sociale.

Likmeta garon në listën e listën Impegno Civico të Partisë Demokratike, e cila është krijuar nga Bruno Tabacci, me mbështetjen e Ministrit të Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio.

 

 

Vitin e kaluar Anita Likmeta bënte pjesë mes 50 italianëve më të famshëm në Evropë në fusha të ndryshme të shkencës dhe inovacionit.

Më parë ishte konsideruar edhe si një nga 150 gratë më të pandalshme në Itali në inovacion.

Kush është Anita Likmeta?

Anita Likmeta është një sipërmarrëse me origjinë nga Durrësi, e larguar drejt Italisë në moshën 11 vjeçare.

E rritur në shtetin fqinj, Likmeta ia ka dalë mbanë të shquhet si inovatore dhe krijuese e disa bizneseve në fushën e startupeve.

E diplomuar për Letërsi dhe Filozofi në Universitetin e Romës La Sapienza, Anita Likmeta e përkufizon veten si “Humaniste 2.0”. Ajo është një sipërmarrëse, këshilltare dhe gazetare: ka shkruar për Il Fatto Quotidiano, Linkiesta, Avvenire dhe nga viti 2014 deri në 2020 ka bashkëpunuar me Huffpost Italia.

Që nga viti 2021 ajo bashkëpunon me TPI (The Post Internazionale) për të cilën merret me kulturë dhe punë të jashtme. Likmeta është partnere dhe këshilltare në CreationDose dhe Codeblock. Që nga viti 2020 është ambasadorja e Connect Albania në Kombet e Bashkuara.

Në vitin 2021, gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” ka publikuar listën me 50 emrat më të njohur në fushën e shkencës dhe teknologjisë në Evropë, ku bënte pjesë edhe Likmeta.