Vendosni fjalën kyçe....

Silva Caka nxjerr dokumentin për Arben Krajën: “Ky hetuesi i komunizmit i ka verifikuar gjeneralitetet e tij?”


Ish-deputetja Silva Caka ka publikuar një dokument të vjetër ku kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, ka firmosur si hetues.

Kjo si formë reagimi pas kërkesës që SPAK ka dërguar në Gjendje Civile për të dhënat e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, në bazë të hetimit të nisur për të.

Me ironi Caka pyet nëse Kraja i ka verifikuar gjeneralitetet e tij, ndërsa e këshillon atë të merret me hetimin e aferës së inceneratorëve.

 “Ky hetuesi i komunizmit, i ka verifikuar gjeneralitetet e tij?
Ilir Rexhep Metaj ka kaluar Vetting-un e njerëzve që e kanë vlerësuar në 30 vitet e tij në politikën më aktive dhe nuk ka nevojë t’ia bëjë verifikimin Beni i komunizmit.
Merru me inceneratorët Beni dhe mëso të ecësh vetë, jo me hapat e Taos dhe Edvinit që i ndërron gjeneralitetet dhe kartelat sipas volisë.”– shkruan Caka.

Ditën e sotme SPAK i ka kërkuar KQZ-së një kopje të formularit të vetëdeklarimit të ish-presidentit. Meta e ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në vitin 2013, kohë edhe kur ka kandiduar për deputet. SPAK kishte dërguar kërkesë edhe në Gjendje Civile për gjeneralitetet e Metës.

Hetimi i SPAK-ut po bëhet në kuadër të kallëzimeve ndaj tij të ish-deputetit Halit Valteri.

Valteri depozitoi në SPAK më 7 qershor një kërkesë për padi ndaj Ilir Metës i cili ishte ende president, duke e akuzuar për lobim dhe pastrim parash. Ai deklaroi se paratë e korrupsionit, Meta i ka transferuar për lobim dhe këto prova ia ka vënë në dispozicion një gazetar i huaj.

Kallëzimi i tij nuk ishte vetëm kundër Metës, por edhe ndaj kryetares së LSI-së në atë kohë Monika Kryemadhi, ish-deputetit Vangjel Tavo si dhe ndaj Iraklis T. Fidetzis, administratorit të kompanisë Dorelita Limited me seli në Qipro.