Mbështetja publike për presidentit amerikan Joe Biden u rrit këtë javë në nivelin më të lartë që nga fillimi i qershorit, pas një serie fitoresh legjislative për Partinë Demokrate, sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania Ipsos.
Sondazhi kombëtar dy-ditor gjeti se 41% e amerikanëve mbështesin punën e zotit Biden. Kjo shënon herën e parë që ai gëzon mbështetje mbi 40% që nga fillimi i qershorit.
Vlerësimet e ulëta ndaj zotit Biden prej 36%, në katër sondazhe javore në maj, qershor dhe korrik, ishin gati kokë më kokë me nivelet më të ulëta të mbështetjes që gëzonte paraardhësi i tij, Donald Trump, popullariteti i të cilit arriti në 33% në dhjetor 2017.
Në katër nga pesë javët e fundit, mbështetja publike ndaj zotit Biden u rrit pasi Kongresi i kontrolluar nga demokratët miratoi një sërë ligjesh që synojnë të trajtojnë problemet që lidhen me ndryshimet klimatike, uljen e çmimit të barnave si dhe për të rritur përpjekjet që Shtetet e Bashkuara të bëhen më konkurruese në raport me Kinën në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Demokratët pritet të humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e 8 nëntorit dhe ekspertët thonë se ata kanë mundësi më të mira për të ruajtur kontrollin e Senatit.
Edhe nëse do të kontrollin vetëm Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët do të ishin në gjendje të pengonin axhendën legjislative të Presidentit Biden apo të nisnin hetime, potencialisht të dëmshme politikisht.
Sondazhi i kësaj jave tregoi se 78% e demokratëve e miratojnë punën e zotit Biden, nga 69% në fillim të korrikut. Vetëm 12% e republikanëve e mbështesin atë, shifër që ka mbetur kryesisht e qëndrueshme javët e fundit.
Vlerësimi i përgjithshëm i mbështetjes publike që gëzon zoti Biden ka qenë nën 50% që nga gushti i vitit të kaluar, ndërsa amerikanët përballen me inflacionin dhe një ekonomi të dëmtuar nga kriza shëndetësore e shkaktuar nga COVID-19.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Zëriamerikës