Vendosni fjalën kyçe....

SPAK: Hetimi për Ilir Metën për shkak të kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri


Pas kërkesës dërguar KQZ-së për një kopje të formularit të vetëdeklarimit të Ilir Metës, SPAK ka zbuluar arsyet për hetimin e nisur ndaj ish-presidentit Ilir Meta.

Në një njoftim për mediet, SPAK thotë se Meta po hetohet në kuadër të një kallëzimi të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri.

“Nisur nga interesimi i shumë gazetarëve pranë SPAK, lidhur me një kërkesë që SPAK i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri. Nuk kemi ndonjë informacion tjetër për të dhënë. Hetimet vazhdojnë.”- bën me dije SPAK.

Ditën e sotme SPAK i ka kërkuar KQZ-së një kopje të formularit të vetëdeklarimit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funskione publike” për Ilir Metën.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar po kryen hetime në funksion të procedimit penal nr. 122 të vitit 2022.

Për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” të dorëzuar nga ish-Deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Metaj (Meta).” – thuhej në kërkesën e firmosur nga Arben Kraja.

Ish-deputeti Halit Valteri depozitoi në SPAK më 7 qershor një kërkesë për padi ndaj Ilir Metës i cili ishte ende president, duke e akuzuar për lobim dhe pastrim parash. Ai deklaroi se paratë e korrupsionit, Meta i ka transferuar për lobim dhe këto prova ia ka vënë në dispozicion një gazetar i huaj.

Kallëzimi i tij nuk ishte vetëm kundër Metës, por edhe ndaj kryetares së LSI-së në atë kohë Monika Kryemadhi, ish-deputetit Vangjel Tavo si dhe ndaj Iraklis T. Fidetzis, administratorit të kompanisë Dorelita Limited me seli në Qipro.