Vendosni fjalën kyçe....

Të dyshuar për spiunazh, jepet sot masa e sigurisë për dy rusët dhe ukrainasin e arrestuar në Uzinën e Gramshit


Këtë të mërkurë do të dalin para gjykatës dy shtetasit rusë dhe ukrainasi të cilët u arrestuan të shtunën në uzinën Ushtarake në Gramsh nën dyshimet për spiunazh.

Seanca gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë do të zhvillohet në ambientet e gjykatës së Elbasanit, ku gjyqtarja do të jetë Pajtime Fetahu dhe prokurori i çështjes, Kreshnik Ajazi.

Sipas “Balkanweb” rusët Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe dhe Mikhail Zorin si dhe 25-vjeçari ukrainas Fedir Alpatov akuzohen se janë rekrutuar nga Shërbimet e Inteligjencës dhe kanë ardhur në Shqipëri me misione të caktuara.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se në pajisjet e tyre të specializuara të fotografimit janë gjetur filmime dhe pamje të uzinës mekanike të Gramshit, por edhe të veprave të tjera që njihej si infrastrukturë kritike civile, siç janë burimet energjetike.

“Nga aktet e këtij procedimi, rezulton se më datë 20 gusht, rreth orës 17:35, nga ana e punonjësve të shërbimit, rojeve ushtarake të Uzinës Mekanike Ushtarake Çekin, është njoftuar salla Operative e Komisariatit Gramsh, se në ambientet e rrethimit të brendshëm të këtij objekti është futur një shtetas i huaj, i cili pasi është konstatuar nga roja shërbimit, është larguar nga magazinat duke kaluar muret rrethuese të uzinës.

Ky shtetas është ndjekur nga dy rojet e uzinës dhe në distancë rreth 200 metra larg objektit, në momentin që ata janë afruar për ta ndaluar dhe shoqëruar këtë shtetas, ai ka bërë rezistencë dhe ka nxjerrë një sprai duke ua hedhur në fytyrë dhe në trup, me qëllim që të largohej nga ata. Me gjithë këto veprime, rojet kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe e kanë mbajtur të bllokuar deri në momentin që kanë ardhur shërbimet e komisariatit të Policisë Gramsh, të cilat kanë bërë shoqërimin e tij në ambientet e komisariatit.

Rezulton se shtetasi i huaj, Mikhail Zorin, me shtetësi ruse, ka qenë i shoqëruar nga dy persona të tjerë, të cilët udhëtonin me një mjet sportiv ngjyrë portokalli me vija të zeza. Menjëherë janë organizuar shërbimet dhe janë vendosur pika kontrolli dhe është bërë e mundur kapja e mjetit, ku ndodheshin shtetasi ukrainas Fedir Alpotav dhe shtetasja ruse, Svetlana Timofeeva.”- thuhet në dosje në lidhje me ngjarjen.

Të shtunën tre të huajt tentuan të futen në uzinën ushtarake në Gramsh, por u diktuan nga rojet ushtarake që ruanin objektin.  Mikhail Zorin, është ai që ka hedhur lëndë kimike ndaj ushtarakëve shqiptarë. Një  ditë më parë Prokuroria kërkoi arrest me burg për të tre.