Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina feston sot Ditën e Pavarësisë mes frikës për sulme nga Rusia


Sot Ukraina feston 31-vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik. 

Dita e Pavarësisë në Kiev zakonisht festohet me një paradë masive ushtarake nëpër qendrën e qytetit.

Por sot, në vend të tankeve ukrainase, janë ekspozuar në rrugën Khreshatik automjetet e ushtrisë ruse të shkatërruara ose të sekuestruara. Dhe nuk do të mbahet asnjë festë.

Kjo për shkak të frikës se Rusia mund të përdorë datën për të goditur qytetet në të gjithë vendin dhe ngjarjet publike në kryeqytet janë ndaluar për dy ditë. Siç shkruan BBC, banorëve u është kërkuar që të marrin seriozisht sirenat e sulmit ajror.

Kjo ditë shënon edhe gjashtë muaj nga fillimi i pushtimit rus.

Tensionet kanë qenë veçanërisht të larta ditët e fundit, pas një sërë shpërthimesh dhe sulmesh në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe vrasjes së komentatores politike ruse Daria Dugina pranë Moskës gjatë fundjavës.

 

Në fjalimin e tij të natës, Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi për “provokimet e neveritshme ruse dhe sulmet brutale” dhe tha se Ukraina “do t’i përgjigjet patjetër çdo manifestimi të terrorit rus”.

Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se Rusia ka të ngjarë të shtojë përpjekjet e saj për të sulmuar objektivat civilë në Ukrainë në ditët në vijim.

Konflikti ka vrarë mijëra civilë. OKB-ja thotë se janë rreth 5 mijë e 500 të vdekur, megjithëse shifra e vërtetë është shumë më e lartë. Ndërsa një e treta e popullsisë është detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

Për momentin duket se nuk ka asnjë perspektivë për bisedime paqeje në një kohë të afërt.