Kreu i Partisë së Lirië, Ilir Meta thotë se nuk ka kuriozitet për nisjen e hetimeve të SPAK-ut ndaj tij. Madje shton se Prokuroria e Posaçme mund të kërkojë kudo formularë për të, duke iu referuar kërkesës për gjeneralitetet e tij.
“Mendoj se kjo është një pyetje krejt pa kuptim. Me certifikatë që kur kam lindur edhe sot e kam Metaj, për lehtësi në komunikimi me publikun kjo është një çështje tjetër. Unë kam qenë dhe jam gjithmonë ai që më njohin të gjithë. Nuk ka rëndësi kjo çështje, certifikata është bërë publike, në ndihmë të SPAK. Formularët të shkojë SPAK-u t’i kërkojë që nga çerdhja.”– u shpreh Meta në një intervistë për Euronews.al, realizuar nga Jala.
Lidhur me akuzat ndaj tij Meta thotë se qeveria e Edi Ramës nuk e di që po bie në gropën e hapur nga vetë ata.
“Tani jemi në një fushë ku pa asnjë diskujtim do të fitojë e drejta e vërteta. Ata gjithmonë kanë stisur, do të shpikin por ata janë mundur dhe kësaj radhe do të shpartallohen. Për Ilir Metën ata do të bien vetë dhe nuk e dinë që është një gropë ku ata do të bien vetë.”- shtoi ai.
Kreu i Partisë së Lirisë tha se do ngrejë padi ndaj Autoritetit të Dosjeve lidhur me akuzën ndaj tij se është ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke e akuzuar institucionin se ka bërë një falsifikim “skandaloz”.
Ai theksoi se padia e tij do të bëhet më 1 shtator, që të ketë kohë “të qepë letrat, ashtu siç duhet”.
“Kemi të bëjmë me proces të shëmtuar të manipulimit të dosjes, të një ish student që është përndjekur nga Sigurimi për tentativë arratisje. Emri i është publikuar në mënyrë kriminale nga Autoriteti i Dosjeve, që është përdorur politikisht. Është falsifikim skandaloz dhe kthim të metodave të ulëta për të goditur politikisht ata, të cilëve nuk iu del dot përballë në skenën politike.
Nuk kam asnjë problem e asnjë shqetësim, unë në 1 shtator kallëzoj Autoritetin e Dosjeve, kjo është betejë që do bëhet edhe në nivel ndërkombëtar, për të treguar fytyrën e këtij regjimi, që zhytet përditë në zullum. Këto shpikje nuk na ndalin për të denoncuar aferën e inceneratorëve, janë edhe afera të tjera që do dalin në dritë në shtator e tutje, populli është ai që vendos.
Qeveria duhet të kuptojë se koha e partisë-shtet ka mbaruar. Do të bëj një këllëzim të mirëorganizuar dhe të mirëprovuar, shkeljet janë të rënda dhe kanë nevojë që të sistemohen.”– deklaroi Meta.