Një sasi prej rreth 200 mijë eurosh është sekuestruar në pikën kufitare të Muriqanit.
Ato i janë kapur 53-vjeçari Ilir Beqiri, i cili po dilte nga territori i Shqipërisë për t’u futur në Malin e Zi dhe nuk i kishte deklarur.
Personi në fjalë, banues në Shkodër është proceduar penalisht pasi dyshohet se shuma e lartpërmendur është përfituar nga veprimtari të paligjshme.
Njoftimi
‘Sekuestrohen 202 060 euro, procedohet penalisht 53-vjeçari që nuk deklaroi këtë shumë parash, në PKK Muriqan. Shërbimet e PKK Muriqan, në bashkëpunim me homologët në Mal të Zi dhe me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin I. B. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 202 060 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Gjithashtu, kjo shumë parash dyshohet se është përfituar nga aktivitete të paligjshme. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I. B., 53 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.”