Vendosni fjalën kyçe....

Macron paralajmëron francezët: Kohës së bollëkut i erdhi fundi, tani duhet të bëjmë sakrifica


Franca po shkon drejt ‘fundit të bollëkut’ dhe duhet të bëhen ‘sakrifica’ gjatë asaj që është një kohë trazirash të mëdha, i tha presidenti Emmanuel Macron kabinetit të tij të mërkurën pas kthimit nga pushimet verore.

Vendi është përballur me sfida të shumta kohët e fundit, duke filluar nga konflikti i vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës deri te thatësira e paprecedentë që ka goditur të gjithë kontinentin evropian këtë verë. Megjithatë, Macron beson se kriza është në të vërtetë në një shkallë shumë më të madhe dhe se ndryshimet strukturore janë të pashmangshme.

“Besoj se po jetojmë një pikë kthese ose një përmbysje të madhe. Së pari, sepse po jetojmë atë që mund të duket si fundi i bollëkut.” – tha ai.

Vendi dhe qytetarët duhet të jenë të gatshëm të bëjnë ‘sakrifica’ për të përballuar dhe kapërcyer sfidat me të cilat po përballen, vazhdoi ai.

“Sistemi ynë është i bazuar në lirinë në të cilën jemi mësuar të jetojmë, gjë që mund të sjellë sakrifica.” – shtoi Macron.

“Kjo përmbledhje që po jap, fundi i bollëkut, fundi i indiferencës, fundi i supozimeve, është në fund të fundit një pikë kthese që po kalojmë që mund t’i bëjë qytetarët tanë të ndjejnë shumë ankth. Përballë kësaj, ne kemi detyra, e para prej të cilave është të flasim sinqerisht dhe shumë qartë.” – theksoi Macron.

Presidenti i bëri thirrje kabinetit të tij që të tregojë unitet, të jetë ‘serioz’ dhe ‘i besueshëm’ dhe u kërkoi ministrave të shmangin ‘demagogjinë’.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani