Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se kryeministri Edi Rama po i bën shantazh SPAK-ut dhe sjell në vëmendje deklaratën e para disa muajve kur ai thoshte se Prokuroria e Posaçme është krijuar pikërisht nga Partia Socialiste.
I pyetur nëse SHBA po mbështet hetimin e SPAK-ut ndaj tij, Meta tha se krimet më të mëdha Rama i ka bërë duke spekuluar me SHBA-në. Por ai thekson se nuk ka frikë nga drejtësia.
“Çfarë i thotë Rama-SPAK-ut, ju jeni krijesa të PS-së, ne ju bëjmë dhe ju zhbëjmë. Këto muhabete, jo më tha kështu jo ashtu, nuk kanë vlerë me mua. Unë jam ai politikan që nuk kam frikë nga drejtësia. Nëse SPAK do të prodhojë lajme vere nga mediat e Rilindjes që paguhen nga inceneratorët, mund të japim dhe të gjithë emrat e mediave dhe gazetarëve që marrin lekë nga inceneratorëve… Mendoj që Edi Rama, mashtrimet më të mëdha në Shqipëri, krimet më të mëdha i ka bërë duke spekuluar me SHBA-në. Është shkelës i ligjeve amerikane.
Kjo vërtetohet me zotin Bilal në Amerikë i cili ka bërë burg. Ky ka shpëtuar me një marrëveshje bashkëpunimi. Se çfarë thotë Edi Rama, janë përralla. Ne dimë që do të vazhdojmë revolucionin antikorrupsion. Edhe ata që janë përpara drejtësisë, janë të bëra nga Ilir Meta me fakte, prova dhe numra llogarie. Gjithë të tjerat, SPAK-u dhe të tjerët janë të vonuar. Ky vonim krijon një problem të madh.”– deklaroi Meta.
Këtë koment Meta e bëri pasi iu kujtua nga gazetarja reagimi i djeshëm i ambasadores së SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim, e cila pas njoftimit të SPAK-ut për hetimin ndaj ish-presidentit tha se Reforma në Drejtësi po jepte rezultate (lexo këtu). Kim u shpreh se kërcënimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të pranohen më si normale, duke thumbuar qartë kryetarin e PL-së Meta, i cili e quajti kreun e SPAK-ut Arben Krajën “spurdhjakun e partisë” dhe e këshillonte të hetonte aferën e inceneratorëve.