Vendosni fjalën kyçe....

Meta pyetet nëse do kandidojë për Bashkinë e Tiranës: Kryeqytetin do t’ia rikthejmë qytetarëve, po ashtu edhe Durrësin


Në një intervistë të zhvilluar online nga Jala, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është pyetur nëse do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Meta as nuk e pohoi e as nuk e hodhi poshtë një gjë të tillë, megjithatë theksoi se pas zgjedhjeve, bashkitë e vendit do i “rikthehen qytetarëve” siç shprehet ai.

“Nuk e di se për çfarë artikulohet më parë emri im. E rëndësishme është që Bashkia e Tiranës, do t’i rikthehet qytetarëve të Shqipërisë, ashtu si dhe bashkia e Durrësit dhe shumica e bashkive të vendit. 4 vjet pushtet 100% i Rilindjes është shumë i qartë dhe dramën më të madhe e kishte Tirana, ku Teatri kombëtar u shemb në mes të natës dhe gjatë pandemisë. Tirana që janë vrarë aq shumë hapësira të gjelbërta. Çdo kandidat i opozitës së vërtetë do jetë triumfues.”– tha ai për “Euronews.al”.

Meta tha se aktet më të rëndësishme për Tiranën janë marrë në kohën kur ai ishte kryeministër, pavarësisht se Edi Rama sipas tij përpiqej t’i shiste si arritjet e tij.

“Besoj që opozita ka shumë alternativa brenda saj, ka një filozofi krejt tjetër, që e duan me shpirt dhe zemër. Secili do ketë mbështetjen time. Aktet më të rëndësishme për Tiranën janë marrë nga unë si kryeministër. Pavarësisht se Rama përpiqej që t’i shiste si arritjet e tij. Ju shumë parqe lodrash, i keni parë se çfarë ndodhi kur i kishte gjithçka në dorë.”- u shpreh ai.