Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Jashtme i përgjigjet Ambasadës Ruse: Nuk ju njoftonim dot për arrestimin e rusëve në Gramsh pa kërkesën e tyre


Në foto: Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka (majtas) dhe ambasadori i Rusisë në Shqipëri Mikhail Afanasiev (djathtas)

Në foto: Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka (majtas) dhe ambasadori i Rusisë në Shqipëri Mikhail Afanasiev (djathtas)

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë i është përgjigjur pretendimeve te ambasadës ruse në Tiranë lidhur me notën verbale të saj për arrestimin e shtetasve rusë të dyshuar si të përfshirë në spiunazh.

Përmes një komunikate zyrtare, Ministria e Jashtme thotë se nota verbale e ambasadës ruse ka mbërritur në institucion më datë 23 qershor pasdite. Pra pretendon se është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar nga pala ruse.

Ministria pretendon se ka vepruar menjëherë duke iu drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente dhe thekson se vetë është veçse “pikë ndërlidhëse” mes kërkuesit dhe strukturave të tjera.

Lidhur me faktin se përse nuk është njoftuar ambasadata për arrestimin e shtetasve rusë, ministria thotë se kjo ka ndodhur sepse të ndaluarit nuk e kanë bërë një kërkesë të tillë.

Deklarata e plotë:

Lidhur me pretendimet e ambasadës ruse në Tiranë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prej ditësh  nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, z. Gazmend Turdiu deklaron me përgjegjësi se të gjitha veprimet e MEPJ lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë.

MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kopetencë tjetër për çështjen në fjalë.

Në kuadër të transparencës dhe të refuzimit të dezinformimit, MEPJ, është e gatshme të verë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës, ku duket qartë numri dhe data e dërgimit, 22 gusht 2022.

Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.

Dëshirojmë gjithashtu të theksojmë se ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.