Nisja e gazsjellësit rus Nord Stream 2 mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës energjetike në rritje në Evropë, tha deputeti i Bundestagut Steffen Kotre për agjencinë e lajmeve TASS.
“Edhe nëse hapësirat e magazinimit të gazit janë plot, do ketë mjaftueshëm për rreth tre muaj këtë dimër. Dhe pastaj çfarë? Ideologjia duhet t’i lërë vendin një politike reale të orientuar drejt fakteve. E vetmja zgjidhje e arsyeshme është nisja e Nord Stream 2.” – beson Kotre, i cili është anëtar i komisionit parlamentar gjerman për mbrojtjen e energjisë dhe klimës.
Në javët e fundit qeveria gjermane ka këmbëngulur se nuk ka plane për të nisur gazsjellësin Nord Stream 2, i cili përfundoi vitin e kaluar, por nuk hyri kurrë në punë për shkak të ngurrimit të Berlinit për t’i dhënë certifikimin.
Megjithatë, shumë politikanë i kanë kërkuar Bundestagut të ndryshojë qëndrimin e tij dhe të përdorë tubacionin, i cili ka një kapacitet vjetor prej 55 miliardë metrash kub, për të ndihmuar Gjermaninë të përballet me mungesat e energjisë që rrjedhin nga flukset e zvogëluara të gazit nga Rusia nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1.
Furnizimi përmes gazsjellësit kohët e fundit ra në 20% të kapacitetit total për shkak të pengesave teknike dhe sanksioneve.