Qeveria ka shtyrë me 6 muaj të tjerë qëndrimin në territorin e Shqipërisë, të refugjatëve afganë të vendosur aktualisht në vendin tonë pas largimit nga vendi i tyre me ardhjen e talebanëve në pushtet.
Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, ‘Për azilin në Republikën e Shqipërisë’, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 2, të vendimit nr.501, datë 25.8.2021, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
‘2/1. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, personave, që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi dhe me 6 (gjashtë) muaj të tjerë.”- thuhet në vendim.
Me detyrën për zbatimin e këtij vendimi, u ngarkuan Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.