Vendosni fjalën kyçe....

Tony Blair rikthehet si këshilltar për marrëdhëniet me publikun për qeverinë e Ramës


Tony Blair është rikthyer si këshilltar i qeverisë Rama përmes Institutit ‘Tony Blair Institute për Global Change’. Instituti ka bërë një njoftim në faqen zyrtare ku kërkon një këshilltar të lartë për të punuar me qeverinë shqipare, shkruan BIRN.

Sipas njoftimit, ‘Tony Blair Institute’ pritet të përfshihet në reformat e sektorit publik, përfshirë axhendën politike kombëtare, transformimin dixhital, reformën e energjisë dhe transformimin e qeverisë shqiptare.

Mes fushave të përgjegjësisë së këshilltarit renditen këshillat strategjike mbi çështje të politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare si dhe metodat e komunikimit dhe PR-it për të promovuar ‘sukseset e projekteve në publik”.

Instituti në fjalë është themeluar në vitin 2016 dhe punon me 20 vende në botë , kryesisht shtete në Afrikë.

Blair e ka këshilluar edhe më herët qeverinë e kryeministrit Edi Rama përmes ‘Tony Blair Associates’, një bashkëpunim që filloi në vitin 2013 dhe u deklarua i mbyllur në vitin 2016. Megjithatë, puna e Blair në Shqipëri mbeti mister dhe nuk u zbulua kurrë realisht.

Ndërkohë, studioja ligjore e Cherrie Blair fitoi gjithashtu kontrata nga qeveria shqiptare në kohën që bashkëshorti i saj ishte këshilltar.

I pyetur nga BIRN mbi kushtet e këshillimit të qeverisë shqiptare nga Instituti i drejtuar nga Tony Blair, drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga tha se ajo nuk i kushtonte asgjë shqiptarëve.

“Nuk kemi asnjë marrëveshje financuese. Herë pas here ata ofrojnë konsulencë falas. Ne s’paguajmë gjë. Taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë gjë.” – tha ai, duke mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje të firmosur.

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e BIRN