Vendosni fjalën kyçe....

Tri teza cinike të Kryeministrit në Alpbach


Nga Ilda Zhulali

I pyetur se si e gjykon rizgjimin e Europës pas agresionit rus kundër Ukrainës, Kryeministri Rama deklaroi se:

Teza 1. “Mendoj se çështja e vërtetë nuk ka të bëjë me se sa të zgjon lufta sepse bombat të zgjojnë zakonisht, nuk mund të flesh, por sesa rezistent mund të jetë perëndimi duke ditur që kufiri i dhimbjes së rusëve është shumë më i lartë dhe duke e ditur se t’i heqësh nga tryeza shampanjën, dikujt që është mësuar të pijë shampanjë, duket më e dhimbshme sesa t’i marrësh nga tryeza bukë dikujt që është mësuar të mos hajë shumë bukë. Pra, çështja e vërtetë këtu është rezistenca.”

Kjo është mendësia e një drejtuesi autokrat që BE e sheh si klubin e shampanjës ndërsa qëndron kalëruar mbi kufirin e epërm të dhimbjes së popullit të tij që po derdhet rrugëve të Europës. Rezistenca sot nuk mban emrin e Rusisë, por të Ukrainës, që kufi të dhimbjes ka humbjen e jetëve të mijëra qytetarëve të saj. Është më shumë se cinike që rezistencës t’i veshësh flamurin rus ditën që festa e pavarësisë së Ukrainës ‘festohet’ nën breshërinë e plumbave dhe bombave ruse.

Teza 2. ‘Kur diskutojmë gjeostrategjinë flasim për aktorë të tretë, të cilët nuk duhet të lejohen të hyjnë në Ballkanin Perëndimor, por kur vjen fjala për një çështje jete a vdekje është Kina që shpëton mjaft jetë në Ballkanin Perëndimor, është Rusia dhe është Turqia.’, tha Kryeministri Rama.

Këto fjalë dalin nga goja e Kryeministrit që sapo zhvilloi takimin ndërqeveritar me BE për nisjen e negociatave të anëtarësimit, që mori nga BE miliona Euro ndihmë për tërmetin, pandeminë, dhe milionat e tjera që kanë ardhur ndër vite dhe vazhdojnë të vijnë përmes fondeve IPA e donacioneve nga vendet anëtare të BE.

Kryeministrit i ka pëlqyer të tundë flamurin e tij të suksesit krah parave të BE, ashtu sikurse hidhërohet sa herë i kujtojnë se nuk ka drekë falas, dhe se çmimi i drekës së tij europiane kushton sa një minimum demokraci.

Po ndërsa e dimë se ç’na kushton dreka europiane, Kryeministri mund të na ndriçojë mbi çmimin e shpëtimtarëve të tij rus e kinez.

Po kështu, në Alpbach Kryeministri Rama ‘harroi’ të tregonte se vetë u vaksinua me Pfizer, dhe jo me Sputnik dhe as me vaksinën kineze. Ato vaksina që i paskërkan dhuruar “shpëtimtarët e Ballkanit” ua rezervoi shqiptarëve të thjeshtë, që për t’i bindur se ishin më të mirat në botë përpara se ato të mernin çertifikimin mjekësor europian, i shoqëroi me një lumë sharjesh për BE.

Teza 3. ‘Kam dhe një pikë të fundit, ka një gjë për të cilën mendoj shumë. Për shkak të natyrës demokratike të shoqërive, por jo vetëm për shkak të kësaj, por dhe për shkak të yryshit pa frena të lajmeve të rreme në të gjitha mjediset tona, kemi një disavantazh të madh sepse ndërkohë që nuk mund të krijojmë plasa në murin e propagandës së Putinit, Putini mund të tej çajë çdo ditë perden e informacionit në vendet tona. Është po kështu një mundësi e madhe për të menduar seriozisht se si të luftojmë lajmet e rreme.’, tha Kryeministri Rama.

Një politikan autokrat padyshim e konsideron disavantazh natyrën demokratike të shoqërive europiane. Shoqëritë demokratike janë kërkuese. Ndaj çdo politikan duhet të llogarisë mirë se çfarë politikash ndjek dhe si i prekin ato jetët e qytetarëve, të cilëve do t’u kërkojë përsëri votën.

E ndërsa Rama këtë e quan barrë, BE e ka tashmë standard qeverisës.

Dhe sa u përket lajmeve të rreme, me siguri Kryeministri është i shqetësuar se as Ministria e tij e së Vërtetës, as puthja e dorës së Luizës dhe as koncerti me librezë pune nuk ia mbulojnë dot përcëllimin e fytyrës qeverisëse që i ka shkaktuar afera e inceneratorëve.