Turistët rusë që hyjnë në BE janë një rrezik sigurie në mes të konfliktit në Ukrainë, ka thënë kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas.
Estonia ndaloi turistët rusë në fillim të këtij muaji dhe, së bashku me disa shtete të tjera të BE-së, ka bërë presion për kufizime në mbarë bllokun ndaj udhëtarëve rusë si pjesë e sanksioneve ndaj Moskës për operacionin e saj ushtarak në Ukrainë.
“Ne vërtet po e mbajmë barrën. Problemi është se ne nuk jemi në gjendje të kontrollojmë të gjithë turistët që vijnë. Dhe ne shohim se ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë.” – tha Kallas për Sky News të mërkurën.
Ajo argumentoi se rusët e zakonshëm ‘janë gjithashtu përgjegjës për veprat e vendit të tyre’ dhe se ‘një ndalim i vizave mund të ketë një efekt që lufta të përfundojë’.
“Vetëm 10% e qytetarëve rusë udhëtojnë në të vërtetë jashtë vendit. Ata janë nga Moska dhe Shën Petersburgu, kështu që këta njerëz gjithashtu kanë ndikim në vendimet e Kremlinit.” – tha kryeministrja, duke shtuar se rusët e prekur nga ndalimi ‘do bënin presion mbi Kremlinin’.
Disa vende të BE-së, si Gjermania dhe Hungaria, ndërkohë, kundërshtojnë një ndalim të plotë të vizave. Josep Borrell, kryediplomati i bllokut, tha të hënën se dyert nuk duhet të mbyllen për rusët që nuk mbështesin qëndrimin e Kremlinit.