Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Madrit Ulqinakut në Elbasan, gjykata lë në burg 17-vjeçarin Horgito Peqini


Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 17-vjeçarin Horgito Peqini si dhe bashkëpunëtorin e tij Klaudjan Sallufi, të akuzuar për vrasjen e 33-vjeçarit Madrit Ulqinaku mbrëmjen e 17 gushtit në Elbasan.

Sipas gazetës “Panorama”, Peqini ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka kërkuar që të lirohen dy miqtë e tij, Klaudjan Sallufi dhe Ejden Dino.

I riu është shfaqur i qetë, madje duke buzëqeshur në seancë. Ndërsa Sallufi ka qëndruar i heshtur.

Familjarët e dy të pandehurve nuk ishin të pranishëm në sallë.

Pavarësisht se më herët policia ka raportuar se Horgito Peqini është 18 vjeç, gjatë seancës gjyqtarja Pajtime Fetahu thotë se ai është i datëlindjes 5 tetor 2004, pra është 17 vjeç. Ndaj adoleshentit rëndon akuza e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve.

Fakti që është i mitur, mund të ndikojë në zbutjen e dënimit. Në bazë të nenit 76 të Kodit penal ai rrezikon nga 10 deri në 20 vjet burg dhe për shkak të moshës atij i përgjysmohet në 5 vjet deri 10 vjet burg dënimi, nëse provohet vepra penale për të cilën akuzohet.