Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim si ikona e idiotëve të dobishëm


Nga Andi Bushati

Pasi ka përfunduar pushimet, nga të cilat këtë herë, fatmirësisht, nuk i rrodhën foto, ambasadorja amerikane ka përveshur llërët e përfshirjes në debatin politik brenda shqiptar.

Ajo ka takuar shefin e SPAK, Arben Krajën dhe i ka dalë në mbrojtje ndaj sulmeve që i bëri Ilir Meta, pasi mori vesh se po hetohej nga prokuroria e posatçme.

Po të mos i kushtosh vëmendje kontekstit, pra në një lexim sipërfaqsor, mesazhet që dha kryediplomatja ameriakne duken normale. Në një demokraci funksionale asnjë njeri publik nuk mund ti bëjë obstruksion drejtësisë.

Sidomos nga politikanët, kërkohet durim dhe duan apo s‘duan, ata janë të dënuar ti kapërdijnë në heshtje vendimet kundrejt tyre. Kështu ndodh pak a shumë në çdo vend normal, ku asnjë funksionar i lartë apo ish i tillë, nuk ka guximin e çartur të Ilir Metës, për ta quajtur prokurorin që po e heton “spurdhjak të partisë”.   

Këtë arsyetim dhe mënyrë të meduari e kam ndeshur shpesh këto dy ditë nga idiotë të dobishëm që krahasojnë lehtësisht regjimet demokratike me këtë tonin. Shumë prej tyre i kanë dërguar komentet edhe pranë Lapsi.al, duke parë vetëm finishin e kësaj historie:  shpërthimin e shproporcionuar të ish presidentit. Yuri Kim është ikona më e zëshme, më e denjë dhe më përfaqësuese e tyre. Ajo është simboli i gruas që komenton pasojat, pa vrarë mendjen për shkaqet.

Në pamje të parë ajo është në rregull. Si ambasadore e SHBA-së ajo ka mbajtur një qëndrim parimor, se askush nuk qëndron mbi ligjin dhe se goditjet kundër drejtësisë “nuk duhet të duken si normale”. Aq më të besueshëm e bën këtë version edhe fakti se ajo e mbrojti SPAK-un ndaj breshërive të Metës, po ashtu siç bëri, kur atë e sulmoi Rama, në në fillim të majit të këtij viti, nga tribuna e asamblesë së PS-së.

Por, si gjithmonë, për ata që duan të kuptojnë, djalli fshihet në detaje. Po ti rikthehesh arkivës së Lapsi.al për të parë se si ambasadorja ka reaguar ndaj Ramës dhe mënyrës si i’u kundërvu Metës, ndryshimi është nata me ditën. Pasi kryeministri udhëzoi SPAK-un, se duhej të hetonte ish presidentin, ambasadorja, duke kërkuar disa herë falje se po tejkalonte gjuhën diplomatike, duke u justifikuar se po fliste troç, tha se modeli i drejtësisë nuk është ai i urdhërimit të prokurorëve nga pushteti politik.  

Por ama, kur Ilir Meta u “vetëmbrojt” ndaj një SPAK-u që po zbatonte fiks urdhërat që Rama i pati dhënë në maj, fjalori i ambasadores ishte disa fish më i ashpër. Ajo, pa u justifikuar për tejkalimin e gjuhës diplomatike, nxitoi të thotë se ‘pandëshkueshmëria po merr fund”, se “nuk ka më të paprekshëm”, se “reforma në drejtësi po jep gjithnjë e më shumë rezultate”.

Megjithëatë, ky aplikim i standarteve të dyfishta, nuk përbën më lajm. Tani gjithkush e di se falë direktivave që ka marrë, ndonëse shpesh i zbaton trashë dhe keq, Kim është ambasadorja më e anëshme në këtë vend që prej periudhës së Rajersonit. Kjo nuk ka më nevojë as për fakte dhe as për komente.

Por, i rëndësishëm në këtë pikë është roli i saj si flamurtare e idiotëve të dobishëm që duan të besojnë se tani po vendoset drejtësia, prandaj ajo duhet lënë të punojë. Pikërisht ky është spekullimi më i madh, gënjeshtra më perfide, që i bëhet njerëzve që nuk duan të mendojnë gjatë.

Për të manipuluar ata mjafton të përsërisësh mesazhe të gjithë pranueshme si: “drejtësia duhet lënë të punojë”, duke anashkaluar dilemat nëse ajo është e pavarur, e ndershme dhe e besueshme. Rasti i Ilir Metës, sado të zeza dhe mëkate të ketë ai mbi shpinë, është demostrimi i këtij manipulimi. SPAK filloi të merret me të,  vetëm pasi Rama e urdhëroi se “gjithë Shqipëria e donte në burg”.

Arben Kraja e bëri publik lajmin, në kuadër të një fushate të sejmenëve dhe propagandistëve të Rilindjes, që përveçse hajdut e zbuluan që Meta qenkesh dhe spiun. Prokuroria e postaçme hapi dosjen e tij paralelisht me kohën kur parlamenti po përgatit një ligj për ti hequr të drejtën për tu rizgjedhur.

Kushdo që ka dy pare mend në kokë e kupton se drejtësia e re po punon në sinkron me qeverinë. Ata që respektojnë inteligjencën e tyre ngrejnë pikpyetje për këto “rastësi”. Ndërsa idiotët e dobishëm përsërisin slloganin: ‘Drejtësia duhet të bëjë punën e vet”. Në këtë mes roli i Yuri Kim është të gatuajë ushqim për të dytët.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Lapsi