Vendosni fjalën kyçe....

“A ekziston SPAK-u? Mos është iluzion”- Jamarbër Malltezi ngre 5 pyetjet e radhës për inceneratorët


Partia Demokratike nuk ndalet me ngritjen e pyetjeve të përditshme për çështjen e inceneratorëve.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Jamarbër Malltezi nga selia blu pyeti nëse ekziston vërtet SPAK-u.

Ai tha se edhe pse është provuar se inceneratorët nuk ekzistojnë edhe pse janë lëvruar paratë për ta, nuk po veprohet nga Prokuroria e Posaçme.

“A mos është një iluzion ngritja e Prokurorisë Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit kur krimi dhe korrupsioni nuk janë më ‘specialë’, por janë bërë si buka e uji? Nuk do bëjmë këtë pyetje sot, sepse mos përgjigjet apo mos reagimi e sigurojnë përgjigjen dhe realitetin.”- tha Malltezi.

Më pas ai shtroi 5 pyetje dhe në fund tha se është urdhri i Edi Ramës që e bën SPAK-un të rrijë SUS.

DEKLARATA E PLOTË

Prej një muaji tashmë, i drejtohemi SPAK-ut me pesë pyetje çdo ditë, lidhur me mega-aferën e inceneratorëve.
E kemi provuar se inceneratorët nuk ekzistojnë, pra janë lëvruar paratë për ta, por djegësit nuk janë ndërtuar. Përderisa një pasuri publike prej 430 milion eurosh është marrë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për vepra publike që nuk ekzistojnë, pyetja që duhet bërë është: A ekziston SPAK-u?
A mos është një iluzion ngritja e Prokurorisë Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit kur krimi dhe korrupsioni nuk janë më ‘specialë’, por janë bërë si buka e uji? Nuk do bëjmë këtë pyetje sot, sepse mos përgjigjet apo mos reagimi e sigurojnë përgjigjen dhe realitetin.

Sot po i rikujtojmë publikut dhe atyre që kanë tagrin të hetojnë një ngjarje të rëndë dhe disa pyetje të thjeshta:

  1. A ka pasur garë, siç kërkon ligji për inceneratorin e Elbasanit që kushtoi 23 milion euro?
    2. A mund te ketë gare kur nuk ka pasur te publikuar asnjë kriter vlerësues? Asnjë kohe për ankesa dhe asnjë specifikim teknik???
    3. A janë kryer vërtet 9 procedura brenda ditës? A është ligjore kjo?
    4. A është hartuar kontrata brenda dites nga Drejtoria Juridike e Kryeministrisë?
    5. A është nen hetim Drejtori Juridik dhe, a i është ofruar te behet bashkëpunëtor i drejtësisë, që të tregojë gjithë skemat dhe bosët e vjedhjes?

Këto pyetje për SPAK-un dëshmojnë edhe pazotësinë e tyre për të lëvizur as gishtin.
9 procedura brenda ditës; mungesa e garës për një vepër publike; hartimi i kontratës brenda ditës nga Drejtoria Juridike e Kryeministrisë; nuk janë gjë tjetër veçse dëshmi se, për shkelje të tilla, me gjurmë kaq të trasha, vendimet merren shumë lart.
Është urdhri dhe bekimi i Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit që e bën SPAK-un të rrijë SUS.
Nuk goditet dora e atij që të ka dhënë një punë të mirë e të lejon të bësh ndonjë punë të keqe. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, as kur e ka emrin Edi Rama, Arben Ahmetaj apo Engjëll Agaçi.