Vendosni fjalën kyçe....

Boçi nxjerr fotot nga inceneratori i Elbasanit: Mali i plehrave janë fakti i abuzimit të 27 milionë eurove nga Rama e koncesionari


Nënkryetari i PD-së Luçiani Boçi ka postuar disa foto të cilat sipas tij janë bërë në inceneratorin e Elbasanit.

Në foto duket një grumbull i madh mbeturinash të cilat shkruan Boçi janë fakti se inceneratori i Elbasanit nuk punon e është i fikur që nga dhjetori 2021.

Ai shkruan më tej se pavarësisht se për të janë paguar deri tani 27 milionë euro, ato kanë shkuar në xhepat e oligarkëve e qeveritarëve duke qenë se inceneratori nuk funksionon.

“PAMJE NGA MALI I FAKTEVE

Mali që shihni në foto është mali i plehrave në inceneratorin e Elbasanit.

Megjithëse vendi është dampa (gropë e ndërtuar qëllimisht) e ish-Kombinatit Energjetik, nga gropë plehrash tani e kemi mal plehrash. E mali plehrave (që s’duhesh të ishte aty) ka marrë dhenë e nuk ndalet. Lart mungon vetëm Ramë-Gjeli. Nuk është thjesht mal plehrash! Është mali i fakteve të korrupsionit të Ramës me inceneratorët. Mali dëshmon së inceneratori i Elbasanit ka që në dhjetor 2021 që është i fikur. E bashkë me veten, është duke i fikur derën dhe Bashkisë Elbasan. Mali dëshmon që Landfilli është tërësisht jashtë çdo standarti, sepse një mal i tillë i çrregullt ekziston vetëm në një vend të thjeshtë grumbullimi plehrash. Mali tregon se, megjithëse janë zbrazur nga xhepat e shqiptarëve 22 milion euro (me TVSH rreth 27 milion euro), paratë kanë përfunduar në xhepa pushtetarësh e oligarkësh.

Mali i korrupsionit të plehrave, dëshmon që Rama dhe banda e tij, në vend të prodhonin energji, prodhojnë grabitje, ndotje dhe helme. Mali tregon se Rama, jo vetëm që nuk ndërtoi ato serat e famshme hidroponike, por dhe po shuan florën dhe faunën pranë lumit Shkumbin. Paradoksi është më i madh se mali i korrupsionit të plehrave! Ky mal plehrash bashkë me inceneratorin, janë në sekuestro nga SPAK që prej dhjetorit 2021. Por SPAK nuk e sheh malin para syve sepse është i zënë duke kërkuar “gjilpërën nën mal (kashtë)”. Mali ulëret  për korrupsionin e Ramës&kompani, por SPAK nuk dëgjon se është i shurdhuar vetëm nga  zhurma-tingujt e lakuriqit të qeverisë. Malin e korrupsionit të plehrave do ta sheshojnë qytetarët me revoltën e tyre!” – shkruan Boçi.