Agjencia Qendrore e Inteligjencës ka kërcënuar ‘hapur’ biznesmenët turq për tregtinë me Rusinë, duke u futur në marrëveshjet e tyre të pronave të paluajtshme për shqetësimet në lidhje me anashkalimin e mundshëm të sanksioneve amerikane, raportoi të premten e përditshmja ‘Yeni Safak’.
Gazeta ka mësuar se shefi i zyrës së CIA-s në Turqi dyshohet se ka thirrur punonjës të rangut të lartë të një kompanie ndërtimi, duke pyetur për transaksionet dhe hollësi të tjera konfidenciale të blerjeve të fundit të pasurive të paluajtshme që përfshijnë subjekte ose individë rusë.
Sipas raportit, oficeri i CIA-s intervistoi biznesmenë nën maskën e mbikëqyrjes së sanksioneve anti-ruse të vendosura nga SHBA. Ai ishte i interesuar të dinte numrin e saktë të ‘shtëpive të shitura rusëve’, çfarë kanalesh dhe valutë përdoreshin për transaksione dhe nëse pagesat kryheshin nëpërmjet një banke apo me para në dorë.
Një shembull tjetër i asaj që është përshkruar nga media turke si ‘përzierje në punët që janë jashtë detyrës së autoriteteve amerikane’ ishte një letër që thuhet se është dërguar nga Zv. Sekretari i Thesarit i SHBA-së Wally Adeyemo Shoqatës Turke të Industrisë dhe Biznesit (TUSIAD) në 22 gusht.
Sipas gazetës, Adeyemo kishte kërcënuar se do vendoste sanksione ndaj anëtarëve të TUSIAD të përfshirë në të bërit biznes me Rusinë. Shoqata e konfirmoi letrën pa bërë të ditur përmbajtjen e saj, duke vënë në dukje se e kishte ndarë atë me Ministritë e Jashtme dhe të Financave të Turqisë.
Ai vjen mes shqetësimeve në rritje midis vendeve perëndimore për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe energjetik të Turqisë me Rusinë, dhe thellimin e lidhjeve midis dy vendeve që mund të ndihmojnë Moskën të anashkalojë sanksionet e vendosura nga SHBA dhe BE për konfliktin në Ukrainë.
Javën e kaluar, Adeyemo pati një bisedë telefonike me zëvendësministrin turk të Financave, Yunus Elitas, gjatë së cilës ai ‘ngriti shqetësimet se subjektet dhe individët rusë po përpiqen të përdorin Turqinë për t’iu shmangur sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe 30 vende’, tha Thesari i SHBA-së. Turqia u përgjigj duke thënë se nuk do lejonte ‘shkeljen” e sanksioneve amerikane, duke ruajtur pozicionin e saj të ekuilibruar për konfliktin ukrainas.
Megjithëse Turqia e ka dënuar operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ajo mbetet i vetmi anëtar i NATO-s që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës dhe nuk e ka mbyllur hapësirën ajrore për fluturimet ruse.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e kishte pozicionuar më parë veten si ndërmjetës midis Ukrainës dhe Rusisë. Turqia priti bisedimet e pasuksesshme të paqes në mars, por më vonë ndihmoi ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për të rifilluar dërgesat e grurit ukrainas në tregjet botërore nëpërmjet Detit të Zi.