Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata në Kanada vendos që fëmija s’mund të vaksinohet me forcë


Një nxënëse 12-vjeçare që kundërshtoi vaksinimin kundër Covid-19 nuk mund të detyrohet ta bëjë atë, ka vendosur një gjykatës në Peterborough, Ontario.

“Shkenca në lidhje me Covid-19 po zhvillohet. Faktet po ndryshojnë.” – shkroi gjykatësi Christopher Corkery nga Gjykata e Lartë e Ontarios, Kanada.

Sipas Blacklock’s Reporter, vendimi erdhi në një mosmarrëveshje gjyqësore familjare. Babai i paidentifikuar i vajzës paraqiti një kërkesë në Gjykatë duke detyruar ish-gruan e tij që ta vaksinonte vajzën përpara fillimit të vitit shkollor.

“Kjo po e mban të gjithë në komunitetin tonë të sigurt.” – i tha babai Gjykatës.

Nxënësja shkroi në një email të dorëzuar në gjykatë duke thënë se nuk dëshironte të vaksinohej. Arsyet e saj përfshinin të dhëna që sugjeronin se ‘njerëzit që kanë marrë të treja vaksinat po preken sërish nga Covid’ dhe se ‘ajo dëgjoi nga miqtë që mjekët e tyre po këshillojnë që fëmijët të mos vaksinohen’.

“Ky është vendimi im përfundimtar. Nuk e dua vaksinën. Shpresoj që dëshirat e mia të respektohen.” – shkroi vajza.

Gjykatës iu tha se nëna e vajzës ‘nuk është kundër vaksinës Covid-19, por nuk është e përgatitur të detyrojë vajzën e saj të vaksinohet kundër vullnetit të saj’.

Gjyqtari Corkery vendosi se ai nuk mund të detyronte vaksinimin.

“Jam i kënaqur që ajo është në gjendje të formojë në mënyrë të arsyeshme opinionet e saj.” – shkroi ai.

“Cilat janë implikimet shëndetësore nëse fëmijët marrin vaksinën e tanishme, por anashkalojnë disa ose të gjithë përforcuesit?” – pyeti Corkery.

“Nga cili variant i ardhshëm Covid mbrojnë përforcuesit?” – shtoi ai.

“Këto janë të gjitha pyetje të vlefshme që kërkojnë përgjigje të cilat tani për tani nuk janë të disponueshme. Është e papërshtatshme që Gjykata të paracaktojë trajtimet e ardhshme mjekësore në kohë të panjohura, në rrethana të panjohura.” – theksoi gjyqtari.

“A është e sigurt se nuk ka efekte anësore? A është vaksina efektive për ta mbrojtur atë nga infektimi me Covid-19, nga përhapja e tij, nga vdekja prej tij, nga ashpërsia e simptomave? Ashtu si me pëlqimin e informuar, ka shumë faktorë që duhet të merren parasysh me kujdes në peshimin e rreziqeve dhe përfitimeve.” – tha ai.

“Kërkesa që ajo të vaksinohet kundër vullnetit të saj nuk do të respektonte sigurinë dhe mirëqenien e saj fizike, emocionale dhe psikologjike, por në fakt do ta vinte atë në rrezik të një dëmtimi serioz emocional dhe psikologjik. Nuk është në interesin e saj më të mirë.” –  përfundoi gjykata.

Agjencia e Shëndetit Publik të Kanadasë nuk ka miratuar urdhrin për vaksinimin për pacientët e çdo moshe.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani