NATO po heton shitjen e raportuar të dokumenteve të saj të klasifikuara nga një grup hakerash, raportoi BBC të enjten. Disa nga të dhënat përshkruajnë në hollësi prodhimet e MBDA Missile Systems, një prodhues i mbrojtjes pan-evropiane.
“Ne po vlerësojmë pretendimet në lidhje me të dhënat që supozohet se janë vjedhur nga MBDA. Ne nuk kemi asnjë të dhënë se ndonjë rrjet i NATO-s është komprometuar.” – citoi BBC të thoshte një zëdhënës i aleancës.
BBC tha se hakerat e paidentifikuar po kërkonin 15 Bitcoin (afërsisht 320,000 dollarë me çmimin e tanishëm) për grumbullin e të dhënave të vjedhura. Çmimi dhe hollësi të tjera përkojnë me atë që u raportua në fillim të gushtit nga faqja franceze e lajmeve për sigurinë kibernetike dhe teknologjinë e informacionit LeMagIT.
Baza e të dhënave me sa duket iu ofrua blerësve të mundshëm nga dikush i quajtur ‘Adrastea’ në fund të korrikut dhe besohet se e ka origjinën nga një hard disk i jashtëm. Një degë italiane e MBDA dyshohet të jetë pika e futjes së hakerit.
BBC tha se studioi mostrën falas të dokumenteve dhe gjeti dokumente me etiketa të ndryshme klasifikimi të NATO-s dhe SHBA-së. Disa dokumente dukej se jepnin me hollësi misionin e një skuadroni ajror të SHBA-së në Estoni në vitin 2020.
Të tjera treguan skema për një armë anti-ajrore të quajtur Land Ceptor CAMM. BBC theksoi se nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumenteve.
Raporti nga LeMagIT tha se kontaktoi MBDA për koment dhe se kompania pranoi se kishte pësuar një përpjekjeje për zhvatje. Të dy mediat cituan kompaninë që e minimizonte shkeljen, duke i përshkruar të dhënat si ‘as të dhëna të klasifikuara dhe as të ndjeshme’.
BBC tha se disa nga dokumentet MBDA që mori në mostër ishin të shënuara si ‘informacion pronësor që nuk duhej të zbulohej apo riprodhohej’.