Vendosni fjalën kyçe....

INSTAT ‘fsheh’ hyrjet e të huajve sipas shteteve; Në total u rritën 19.4% me para pandeminë


Në korrik, në vend kanë hyrë 1.4 milionë shtetas të huaj në vendin tonë, duke shënuar numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Të dhënat u bënë të ditura nga INSTAT, në raportin për lëvizjet e shtetasve. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 21%. Edhe në raport me 2019-n, që deri tani ishte viti më i mirë turistik, rritja është rreth 19.2%.

Për periudhën janar-korrik 2022, në vend kanë hyrë 3.96 milionë shtetas të huaj, edhe ky një nivel rekord. Sërish hyrjet janë 19.4% më të larta edhe në raport me para-pandeminë  dhe gati 40% më të larta sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas INSTAT, 97% e hyrjeve të shtetasve të huaj në korrik janë për pushime, vizitë tek të afërm, trajtime shëndetësore. Pjesa tjetër janë tranzit, për qëllime fetare ose personale.

Të dhënat e mëparshme të INSTAT, që i përkasin muajit maj treguan se atë muaj, vetëm 11% e shtetasve të huaj që hynë në vend qëndruan në struktura akomoduese të regjistruara, si hotele, motele, apo kampingje.

Nuk publikohen më të dhënat e hyrjeve sipas shteteve

Për herë të parë që nga fillimi i publikimit të lëvizjeve të shtetasve, INSTAT nuk ka dhënë tabelën e hyrjeve sipas shteteve. Ndërkohë, nga qershori nuk regjistrohen as hyrjet e shtetasve të Kosovës që vijnë me pushime, pas një vendimi të përbashkët të dy qeverive për të lehtësuar lëvizjen e turistëve në verë. INSTAT nuk ka sqaruar në publikim se si i llogarit tashmë hyrjet e shtetasve nga Kosova, që normalisht zinin 33% të totalit.

Sipas publikimit të INSTAT, në tekst thuhet se në Korrik 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Italia me 48,0 %, krahasuar me Korrik 2021.

Gjatë shtatë mujorit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,5 herë dhe Greqia me 3,0 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 4,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor