Vendosni fjalën kyçe....

Keqardhja më e madhe e Jack Dorsey është që “Twitter” u bë një kompani


Themeluesi dhe ish-shefi ekzekutiv i Twitter-it Jack Dorsey thotë se i vjen keq që platforma e mediave sociale u bë një kompani.

“Çështja më e madhe dhe keqardhja ime më e madhe është që u bë një kompani.”– shkroi Dorsey të enjten në një postim ku i përgjigjej një pyetjeje nëse Twitter i doli ashtu siç e kishte parashikuar.

Dorsey do të marrë 978 milionë dollarë nëse marrëveshja me miliarderin Elon Musk për të blerë Twitter-in realizohet. Kur u pyet se në çfarë strukture ai dëshironte të funksiononte Twitter-i, Dorsey tha se ai duhet të jetë “një protokoll” dhe se Twitter nuk duhet të jetë në pronësi të një shteti ose një kompanie tjetër.

Sipas tij, nëse do të ishte një protokoll, Twitter do të funksiononte njësoj si emaili, i cili nuk kontrollohet nga një ent i centralizuar, dhe njerëzit që përdorin ofrues të ndryshëm emaili janë në gjendje të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Twitter është përfshirë në beteja të shumta.

Kompania e ka paditur biznesmenin Elon Musk për përpjekjen e tij për t’u larguar nga marrëveshja për ta blerë Twitter-in për 44 miliardë dollarë. Një ish-ekzekutiv gjithashtu e ka akuzuar Twitter-in se ka mashtruar rregullatorët federalë në lidhje me masat e sigurisë për t’u mbrojtur nga hakerat dhe llogaritë e padëshiruara.