Vendosni fjalën kyçe....

Kërkimi për minatorët e bllokuar në Meksikë mund të zgjasë gati një vit, familjarët të dëshpëruar


Kërkimi për 10 minatorë meksikanë të bllokuar në një gropë të përmbytur mund të zgjasë nga gjashtë deri në 11 muaj.

Kështu të paktën kanë thënë të afërmit e tyre për mediet ndërkombëtare.

“Ne nuk mund ta pranojmë këtë.”– i tha AFP-së Juani Cabriales, motra e njëritprej punëtorëve, pasi u informua nga qeveria për planin e saj.

Më 3 gusht, një mur tuneli u shemb në minierën Pinabete, që ndodhet në shtetin verior të Coahuila, duke shkaktuar përmbytje.

Nivelet e larta të ujit në boshte 60 metra të thella po vonojnë operacionin e shpëtimit. Pesë minatorë kanë arritur të shpëtojnë pas incidentit, por nuk ka pasur asnjë kontakt me 10 kolegët e tyre të bllokuar.

“Ata (qeveria) na thonë se do të duheshin 6 deri në 11 muaj për t’i nxjerrë jashtë.”- i tha zonja Cabriales agjencisë së lajmeve AFP. Erika Escobedo, gruaja e njërit prej minatorëve të bllokuar, dha të njëjtat detaje, duke thënë se të afërmit e kishin hedhur poshtë këtë plan shpëtimi të qeverisë.

“Ne jemi shumë të trishtuar… Unë jam duke menduar se si t’ua jap lajmin fëmijëve të mi.”– i tha ajo Reuters. Qeveria ende nuk ka zbuluar publikisht asnjë detaj të planit të saj të propozuar.

Operacioni i shpëtimit tashmë është penguar nga një sërë pengesash.

Rreth dy javë më parë, një dron special nënujor që mbante një kamerë u ul në një nga boshtet. Të afërmit e minatorëve kishin shpresuar se droni do t’u jepte atyre lajmet e shumëpritura për të dashurit e tyre, por droni nuk arriti në thellësinë në të cilën besohet se minatorët ishin bllokuar.

Të afërmit janë shprehur gjithashtu të zhgënjyer dhe të zemëruar për ritmin e ngadaltë të përpjekjes së shpëtimit dhe për atë që ata thanë se ishte mungesa e komunikimit. Priftërinjtë në zonë kanë thënë lutjet e tyre për shpëtimin e minatorëve.