Vendosni fjalën kyçe....

Norvegjia refuzon të ulë çmimin e gazit për Evropën


Norvegjia nuk do kërkojë që kompanitë e energjisë të ofrojnë kontrata afatgjata të gazit me çmim fiks, si një mënyrë për të lehtësuar kostot në rritje për klientët evropianë, raporton Reuters, duke cituar ministrin e Naftës Terje Aasland.

Ai thuhet se hodhi poshtë idenë e shprehur nga një anëtar i parlamentit se Norvegjia duhet të konsiderojë të tregojë solidaritet me Evropën duke udhëzuar firmat të ofrojnë furnizime gazi me çmim fiks nën çmimet e tanishme të tregut. Ministri argumentoi se furnitorët tashmë ishin të lirë të lidhnin kontrata afatgjata nëse kushtet tregtare ishin dakord me klientët.

“Unë nuk planifikoj një politikë sipas së cilës firmat e naftës në shelfin kontinental norvegjez udhëzohen të lidhin kontrata me çmim fiks për dërgesat e gazit.” – shkroi Aasland në një letër drejtuar parlamentit të enjten vonë, siç citohet nga Reuters.

Ai tregoi se Norvegjia në vend të kësaj duhet të përqendrohet në ofrimin e sasive sa më të mëdha të gazit që të mundet për të përmbushur kërkesën në rritje dhe të mbetet një furnizues i besueshëm.

Ministri vuri në dukje se 20 vjet më parë Brukseli e kishte braktisur vetë praktikën e kontratave afatgjata në favor të tregut spot dhe tani sistemi norvegjez ‘ruan mundësinë që kompanitë të lidhin kontrata të tilla, bazuar vetëm në interesa ekonomike’.

Norvegjia, e cila ka kaluar Rusinë si furnizuesi më i madh i gazit në Evropë pas ndërprerjes së furnizimeve nga Moska, do kufizojë ndjeshëm eksportet muajin e ardhshëm për shkak të aktivitetit të mirëmbajtjes.