Në konferencën e sotme për mediet, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët lidhur me incidentin në uzinën e armëve në Gramsh dhe arrestimin e 2 rusëve dhe një ukrainasi për spiunazh.
Rama tha se ishin qesharake akuzat për cënimin e sigurisë kombëtare duke theksuar se uzina e armëve ishte objekt i deklasifikuar dhe pa asnjë rëndësi të veçantë, madje e quajti “mbetje arkeologjike të industrisë ushtarake të komunizmit”.
Ai i konsideroi qesharake dhe akuzat për spiunazh, megjithëse shtoi se është me rëndësi është që të zbulohet qëllimi i vërtetë që fshihet pas akteve të shtetasve të huaj.
“Nuk kam pasur mundësi të shprehem për këtë edhe pse ministri i Mbrojtjes, me Ministrin e Brendshëm bënë shpjegimin e nevojshëm. Por më lejoni t’ju them se mjegulla e ngritur mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë, ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë të veçantë. Ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë, ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte me rëndësi të veçantë në vitin 2012 dhe faktikisht kanë statusin e SHPK-ve që janë absolutisht të falimentuara, dhe që janë deri në pikën kur se për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë dritat u priten dhe dritat dhe kanë disa roje aty për të mbrojtur atë perimetër nga zaptimet etj. Të thuash që bëhet spiunazh duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunikimit, është shumë qesharake. Ndërkohë që ajo që duhet të na shqetësonte është se këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë. Sepse më falni, një mision spiunazhi që shfaqet me një veturë sportive që duket sikur thotë; aman hajde më kapni se jam e veçantë, është qesharake.
I takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi unë është se ku është qëllimi i vërtetë. Përveç krijimit të kësaj mjegulle që në fund të ditës I shërbeu nxitjes së një sekëlldie, s’po them panik sepse pashë se njerëzit e zakonshëm bënë shumë humor me këto reportazhe dhe thirrje të urrejtësve profesionistë për rrëzimin e ngrehinës së sigurisë kombëtare ndërkohë që duhet të shohim nga hetimi se ku është qëllimi i vërtetë. Nuk ka lidhje kjo me objektin. A jeni në vete apo jo? Në kohën kur flitej për predha e raketa supersonike që nisen nga një anë e botës dhe arrijnë në tjetrën, të flasësh për cënim të sigurisë kombëtare se u shfaqën disa personazhe të dyshimtë, po e vërtetë me aparat për të fotografuar mbetjet arkeologjike të industrisë ushtarake të komunizmit është qesharake.
Pra këta persona që për fat të mirë u ndaluan nga rojet që bënë detyrën e tyre, janë persona të dyshuar për spiunazh, kjo është shumë e qartë, por çfarë fshihet pas gjithë kësaj shfaqjeje që mori mendjen e gjithë dynjasë dhe me ndihmën tuaj, flas për reportazhet e reporterëve që shkonin atje, kërcenin mbi kanal, që flisnin për C4 e mbetje nukleare e ku di unë se çfarë. Pyetja është se çfarë fshihet pas gjithë këtij spektakli që sigurisht u dha me ndihmën e gjithë kronikantëve dhe jo me pagesë madje. Nëse është një mision spiunazhi nuk ka nevojë të paguante asnjë sepse u vutë në shërbim për të krijuar gjithë këtë zhurmë të madhe, me rëndësi është të gjejmë.”– tha Rama.
Kur ndodhi incidenti në Gramsh, fillimisht nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi uzina e Gramshit u quajt “objekt strategjik”. Por disa ditë më vonë ndërroi mendje dhe deklaroi se nuk kemi të bëjmë me cënim të Sigurisë Kombëtare, pasi objekti është i deklasifikuar. Madje theksoi se në uzinën e Gramshit ka veç llaç e tulla.