Një zjarr në motor detyroi një fluturim ‘Viva Aerobus’ me destinacion Los Anxhelos nga Guadalajara, Meksikë, të kthehej mbrapa dhe të bënte një ulje emergjente.
Pasagjerët thuhet se dëgjuan një zhurmë të madhe disa minuta pas ngritjes rreth orës 22:00 të së martës, më pas panë shkëndija dhe flakë që rridhnin nga motori në avionin Airbus A320. Udhëtarët e tmerruar lajmëruan ekuipazhin për zjarrin dhe pilotët u kthyen menjëherë dhe u ulën të sigurt përsëri në Guadalajara.
Pamjet video të incidentit tregojnë shkëndija të ndritshme që dalin nga motori në qiellin e natës ndërsa avioni fluturon ulët mbi atë që duket të jetë një zonë shumë e populluar. Asnjë nga anëtarët e ekuipazhit ose 186 pasagjerë nuk u lënduan. Zjarri i motorit thuhet se shkaktoi panik në bord, me pasagjerë që qanin, bërtisnin dhe luteshin.
Viva Aerobus, një kompani me kosto të ulët që e cilëson veten si ‘linja ajrore më e gjelbër në Meksikë’, po përdorte një Airbus A320 për fluturimin e së martës, sipas të dhënave nga Flightëare.com.
Avioni u ul përsëri në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Miguel Hidalgo y Costilla’ në Guadalajara rreth një orë pas ngritjes. Fluturimi i plotë për në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit zakonisht zgjat rreth dy orë e 40 minuta.
Linja ajrore ofroi një fluturim shtesë për në Los Anxhelos të mërkurën në mëngjes, ndoshta për të akomoduar pasagjerët që nuk arritën në destinacionin e tyre të martën mbrëma.