Vendosni fjalën kyçe....

“Duart larg fëmijëve tanë” – Serbia anulon paradën LGBTQ të parashikuar për në shtator


Serbia ka vendosur të ‘anulojë ose shtyjë’ një ngjarje EuroPride që do zhvillohej në kryeqytetin e vendit ballkanik, Beograd, në mes të shtatorit, njoftoi të shtunën presidenti Aleksandar Vuçiç.

“Kjo është shkelje e të drejtave të pakicave, por në këtë moment shteti është nën presion nga probleme të shumta.” – tha Vuçiç gjatë një konference për shtyp.

Presidenti shpjegoi se festivali LGBTQ, i cili mbahet çdo vit në qytete të ndryshme evropiane dhe përfshin një Paradë Krenarie, nuk mund të zhvillohet për shkak të kërcënimeve nga ekstremistët e djathtë dhe frikës nga dhuna.

“Nuk është çështja nëse ata ekstremistët janë më të fortë, por thjesht nuk mund t’i bësh të gjitha në të njëjtin moment, dhe kaq.” – tha Vuçiç.

“Unë nuk jam i lumtur për këtë, por ne nuk mund t’ia dalim.”

Në fillim të këtij muaji, mijëra njerëz dolën në rrugët e Beogradit duke kërkuar anulimin e ngjarjes EuroPride. Demonstruesit mbanin pankarta me mesazhet: “Ne nuk duam një paradë homoseksuale dhe pushtim nga Perëndimi!” dhe “Mbajini duart larg fëmijëve tanë”, ndër të tjera.

Serbia, e cila po kërkon anëtarësimin në BE, ka premtuar të mbrojë të drejtat LGBTQ si pjesë e integrimit të saj në bllok.

‘Problemet’ me të cilat u përball Serbia që përmendi Vuçiç përfshinin krizën e Kosovës dhe mundësinë e mungesës së energjisë dimërore për shkak të pakësimit të furnizimeve me gaz rus në Evropë.

Organizatorët e EuroPride kanë këmbëngulur se ngjarja në kryeqytetin serb do zhvillohet pavarësisht njoftimit të Vuçiçit.

“EuroPride në Beograd nuk do anulohet dhe do bashkojë mijëra njerëz LGBTI+ nga e gjithë Evropa.” – tha në një deklaratë Kristine Garina, presidente e Shoqatës së Organizatorëve Evropianë të Krenarisë.

Garina gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve serbe që të ‘qëndrojnë të vendosur kundër këtyre ngacmuesve dhe të mbrojnë ngjarjen’.

Gjatë të njëjtës konferencë për shtyp, Vuçiç zbuloi se kryeministrja Ana Brnabiç, e cila identifikohet si lezbike dhe jeton me një partnere femër, do të vazhdonte të udhëhiqte qeverinë pasi formimi i ri i saj u shpall javën e kaluar.

Brnabiç, e cila ka qenë kryeministre që nga viti 2017, është akuzuar më parë nga grupet LGBTQ se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar pakicat seksuale në vend.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani