Vendosni fjalën kyçe....

Këngëtarja turke Gulsen arrestohet pas shakasë me mikun e saj për shkollat fetare


Këngëtarja turke Gulsen është arrestuar dhe akuzuar për nxitje të urrejtjes për një shaka që ka bërë lidhur me shkollat fetare.

Në prill, këngëtarja tha me shaka se “perversiteti” i një anëtari të grupit të saj vinte për shkak se ai kishte marrë pjesë në një shkollë fetare.

Pavarësisht se komenti i këngëtares kishte disa muaj, ato së fundmi u bënë virale në internet, duke tërhequr kritika nga qarqet konservatore ccka solli dhe ngritjen e akuzës ndaj saj.

Kritikët thonë se arrestimi është një përpjekje e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të konsoliduar mbështetjen përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, shkruan BBC.

Para arrestimit të saj, Gulsen, e cila shihet si Madonna e Turqisë kishte kërkuar falje në mediat sociale për batutën dhe sugjeroi se fjalët e saj u nxorën nga konteksti nga ata që synojnë të “polarizojnë shoqërinë“.

Këngëtarja tha se ndërsa “mbronte lirinë e shprehjes” me “shakanë mes kolegëve” i kërkon falje “të gjithëve që u ofenduan”. Ajo po mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit.

Presidenti Erdogan, Partia e të cilit erdhi për herë të parë në pushtet rreth 20 vjet më parë, studioi në një nga shkollat e para fetare të vendit Imam Hatip, të cilat u themeluan nga shteti për të edukuar të rinjtë për të qenë imamë dhe predikues. Në institucionet fetare kanë marrë pjesë edhe shumë të tjerë në qeveri. Këngëtarja, emri i plotë i së cilës është Gulsen Colakoglu, është kritikuar më parë nga elementë konservatorë të shoqërisë turke për veshjen e saj dhe mbështetjen për të drejtat LGBT.

Arrestimi i 46-vjeçares ka përçarë vendin, me mbështetësit konservatorë dhe pro-qeveritar që i përshkruan komentet e saj si “pafytyrësi“, ndërsa zëra më liberalë dhe pro opozitës e kritikuan arrestimin e saj si joproporcional dhe reaksionar. Shumë përdorues të Twitter-it e dënuan arrestimin e Gulsen, ndërsa kujtuan mungesën e veprimeve ligjore kundër një teologu, i cili kohët e fundit sugjeroi vrasjen e atyre që nuk falin namazin.

Avokatja Feyza Altun tha se vendimi nuk ka “asnjë arsye ligjore” dhe argumentoi se Gulsen u arrestua vetëm për shkak të veshjeve të saj skenike, besimeve, “qëndrimit sfidues” dhe mbështetjes për komunitetin LGBT.