Kosova e Serbia kanë arritur marrëveshjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve të dy vendeve me dokumentet përkatëse.
Njoftimi është dhënë nga përfaqësuesi i BE-së Borrell i cili shkruan në Twitter se ka një marrëveshje mes dy vendeve në këtë drejtim.
Sipas saj qytetarët e dy vendeve por edhe të vendeve të tjera të rajonit do mund të udhëtojnë duke përdorur karta e identetit respektive.
“Kemi një marrëveshje. Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e kartave të identitetit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i paraqesë ato për mbajtësit serbë të kartave të identitetit.” – shkroi Borrell i cili falënderoi kryeministrin e Kosovës Kurti dhe presidentin serb Vuçiç për lidershipin e treguar.
Mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje e kishte paralajmëruar paraprakisht edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pesë ditë para hyrjes në fuqi të vendimeve të qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave dhe dokumente të hyrje-daljes.
Pas arritjes së marrëveshjes kryeministri Kurti ka thënë se reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore.
Marrëveshja është përshëndetur nga presidentja e Kosovës Osmani, e cila shkruan reciprociteti, barazia e liria e lëvizjes janë themeli i shoqërive demokratike e shoqërive evropiane ndërsa thekson se autoritetet e Kosovës do vijojnë punën e pandalshme drejt njohjes reciproke mes dy vendeve.
Arritja e marrëveshjes është përshëndetur edhe nga liderët politikë në Shqipëri, kryeministri Rama, kreu i PD-së Berisha e ai i Partisë së Lirisë Meta.