Vendosni fjalën kyçe....

Lame bën bilancin e procesit të rivlerësimit të pronave: Solli mbi 12 miliardë lekë në buxhetin e shtetit, Tirana mban rekordin, Hasi i fundit


Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka dalë në një deklaratë për mediet paraditen e sotme ku ka bërë një bilanc të procesit të rivlerësimit të pronave.

Lame deklaroi se 113 mijë e 800 pasuri morën shërbimin e rivlerësimit, nga 168 mijë e 200 pasuri që u futën fillimisht në këtë proces. Ai tha se Tirana mban rekordin për numrin e pasurive të rivlerësuara, ndërsa Hasi është në vendin e fundit.

“U përfshinë në proces 168 mijë e 200 pasuri, kryesisht apartamente, shtëpi, vila e me radhë. Prej këtyre e morën shërbimin e rivlerësimit 113 mijë e 800 pasuri, pjesa tjetër prej 53 mijë janë qytetarë që u futën në procesin e rivlerësimit, iu bë fatura, procesi ishte i komplikuar, e morën dhe faturën se sa duhej të paguanoin dhe pastaj nuk preferuan të vazhdonin më tej. Për këto 53 mijë, besoj se është bërë kryesisht për arsye se thjesht doninin të dinin sa vlen shtëpia e tyre, sa shkon fatura, dikush nuk kishte të paguante, etj. Për ata që e morën rivlerësimin janë 113 mijë familje. Gjithashtu mbetën edhe 398 pasuri për të cilët nuk u përfundua procesi në ditën e fundit, datë 2 gusht.

Rekordin e mban Tirana me një shifër të paimagjinueshme, 47 mijë e 293 rivlerësime të kryera, kjo tregon për bumin e zhvillimit të qytetit dhe bumin e transaksioneve në qytet. Vendin e fundit e mban Hasi me 35 rivlerësime.

Procesi dha në buxhetin e shtetit 12.7 miliardë lekë, rreth 110 milionë dollarë. Në mënyrë absolute është një shifër që tejkalon çdo shifër të proceseve të mëpoarshme. Të ardhurat janë dyfishi i procesit më të madh të mëparshëm. Përfitimi për qytetarët është goxha më i madh.

Gjithashtu edhe në shifra si numra, është grafiku që tregon diferencat me kur është kryer në herët e tjera. Përmbyllja e këtij procesi, sa është krenari për Kadastrën që e përfundoi është edhe një lehtësim. Përfaqsson 10% të operacioneve që bën Kadastra. Procesi I rivlerësimit shërbeu edhe si një lloj shkolle për qytetarët sepse4 rezulton nga analiza e të dhënave që 44% e qytetarëve e kanë kryer nga e-Albania vetë, pra pa ndërmjetës. Pra një shkollë për mënyrën e përdorimit të sistemit të e-albania.”- tha Lame.