Vendosni fjalën kyçe....

“Sanksionet ndaj Rusisë s’po shkojnë sipas planit, do dështonin edhe ndaj Kinës nëse sulmon Tajvanin” – The Economist


Sanksionet e ashpra të vendosura ndaj Rusisë nga Perëndimi për konfliktin në Ukrainë deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të japin rezultatin e dëshiruar, ka pranuar revista The Economist, duke shtuar se strategjia ka ‘të meta’.

“Është shqetësuese, deri tani lufta e sanksioneve nuk po shkon ashtu siç pritej.” – tha revista britanike në një artikull të enjten, duke këmbëngulur se efektiviteti i kufizimeve ekonomike ndaj Moskës ‘është kyç për rezultatin e luftës në Ukrainë’.

“PBB-ja e Rusisë do tkurret me 6% në 2022, llogarit FMN, shumë më pak se rënia prej 15% që pritej në mars. Shitjet e energjisë do prodhojnë një tepricë të llogarisë korente prej 265 miliardë dollarë këtë vit, e dyta më e madhe në botë pas Kinë. Pas një krisjeje, sistemi financiar i Rusisë është stabilizuar dhe vendi po gjen furnizues të rinj për disa importe, duke përfshirë Kinën.” – theksoi ai.

Në të njëjtën kohë, kriza e energjisë, e cila është provokuar nga lufta e sanksioneve, ‘mund të shkaktojë një recesion’ në Evropë, ku çmimet e gazit u rritën me 20% të tjera këtë javë, sipas revistës britanike.

E gjithë kjo do të thotë se ‘goditja e pritshme e nokautit nuk është materializuar’, tha The Economist.

“Koha unipolare ie viteve 1990, kur supremacia e Amerikës ishte e pakontestueshme, ka kaluar prej kohësh dhe oreksi i Perëndimit për të përdorur forcën ushtarake është zbehur që nga luftërat në Irak dhe Afganistan.” – pranoi revista.

Kufizimet ekonomike ‘dukeshin’ të ishin mjeti i ri që do lejonte SHBA-në, BE-në dhe aleatët e saj të projektonin fuqinë e tyre globalisht, por konflikti në Ukrainë ka zbuluar se ‘arma e sanksioneve ka të meta’, tha ai.

Një nga ato të meta është ‘vonesa kohore’, vazhdoi revista. Për shembull, ‘bllokimi i qasjes së Rusisë në teknologjinë që monopolizon Perëndimi kërkon vite për të dhënë efekt’, shtoi analiza.

“E meta më e madhe e sanksioneve është se embargo të plota ose të pjesshme nuk po zbatohen nga mbi 100 vende me 40% të PBB-së botërore.” – këmbënguli The Economist.

“Një ekonomi e globalizuar është e mirë në përshtatjen ndaj goditjeve dhe mundësive, veçanërisht pasi shumica e vendeve nuk kanë dëshirë të zbatojnë politikën perëndimore.”

Me kufizimet ekonomike që dështojnë të gjymtojnë ekonominë ruse, duhet ‘të flakësh çdo iluzion se sanksionet i ofrojnë Perëndimit një mënyrë të lirë dhe asimetrike për t’u përballur me Kinën’ nëse ajo vendos të përdorë forcën kundër Tajvanit, paralajmëroi The Economist.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani